Kontratë 3-vjeçare, zgjidhet trajneri i ri i Luftëtarit

Ndodhi ajo pritej. Slloveni Millosh Kostiç është zyrtarisht trajneri i ri i Luftëtarit. Dje 46-vjeçari ka mbërritur në Gjirokastër, i shoqëruar nga ndihmësi i tij, i cili gjithashtu është slloven dhe do të jetë pjesë e stafit teknik të bluzinjve.

Prej ditësh Kostiç ishte futur në bisedime me presidentin e Luftëtarit, Grigor Tavo, dhe akordi në parim ishte arritur, por zyrtarizimi u shty derisa gjirokastritët mbyllën kontratën me trajnerin Hasan Lika, i cili udhëhoqi bluzinjtë drejt suksesit historik, atë të pjesë- marrjes në Ligën e Europës.

Gjatë së hënës, Kostiç ka biseduar detajet e fundit të kontratës me Tavon, duke konkretizuar marrëveshjen, e cila pritet të bëhet publike nga klubi vetëm gjatë ditës së sotme.

“Panorama Sport” mëson nga burime në klub se slloveni ka firmosur një kontratë 3- vjeçare. Mirëpo, në të njëjtën kohë ish-trajneri i Kombëtares U-17 dhe U-19 të Sllovenisë ka pranuar kushtin e vendosur nga Tavo. Marrëveshja ndërpritet në rast se Luftëtari në fund të sezonit të radhës e mbyll më poshtë se vendi i tretë në renditje.