Të rinjtë e PAA protestë për mbetjet në Durrës, flet Agron Duka

Lidhja Rinore Ambientaliste, organizata e të rinjve të Partisë Agrare Ambientaliste që drejtohet nga Agron Duka, ka zhvilluar një protestë në vendgrumbullimin e mbetjeve në zonën e Spitallës, në Durrës.

Me maska në fytyrë dhe pankarta në duar ku kërkonin ndaljen e këtij krimi mjedisor, të rinjtë e PAA-së kanë akuzuar kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, se po u helmon të ardhmen. Protestuesit kanë kërkuar të ndërgjegjësojnë opinionin publik rreth kësaj emergjence, por edhe të nxisin veprimin e institucioneve përkatëse.

Vetë Duka e konsideron në një postim në ‘Facebook’ si ‘bombë ekologjike’ këtë vendgrumbullim mbetjesh. Ai thotë se punën e bashkisë po e bëjnë derrat, të cilët ushqehen në atë fushë toksike.

Reagimi i plotë i Agron Dukës:

Sot, në “Ditën Botërore të Mjedisit”, të rinjtë e Partisë Agrare Ambientaliste, LRA, zhvilluan një tubim simbolik pranë vendgrumbullimit të mbetjeve urbane në zonën Spitallë – Porto Romano, Durrës.

Ndotja që shkakton ky vendgrumbullim përbën rrezik jo vetëm për ata që jetojnë pranë, për studentët e universitetit “Aleksandër Moisiu”, i cili ndodhet pak metra larg kësaj bombe ekologjike, por për të gjithë qytetarët e Durrësit.

Këtu plehrat nuk trajtohen dhe nuk asgjësohen, lihen në mëshirë të fatit; punën e Bashkisë e bëjnë derrat, të cilët ushqehen në këtë fushë toksike.

Kjo situatë nuk po gjen zgjidhje prej vitesh, prandaj sot, të rinjtë e PAA-së kërkojnë jo vetëm të informojnë opinionin publik rreth kësaj emergjence, por edhe të nxisin veprimin e institucioneve përkatëse.