Trukimet prekin edhe tenisin, policia arreston rrjetin me 13 persona

Policia belge ka ndaluar 13 persona pas një hetimi mbi pretendimet për fiksim duelesh në nivelet e ulëta profesioniste të sportit të tenisit.

Prokurorët thonë se një rrjet belgo-armen ka ofruar ryshfete për tenistët që prej vitit 2014, me kriminelët që kanë përfituar shuma të majme përmes basteve mbi duele të trukuara.

Profesionistët që garojnë në turne të nivelit të ulët janë më të lehtë për t’u bërë shënjestër e ryshfetdhënësve, thonë prokurorët.

Hetimi ka nisur pas një raporti të muajit prill, që akuzon për një “cunam korrupsioni” në tenis.

Një panel i pavarur hetimor shqyrtoi integritetin e profesionistëve të tenisit pasi iu bashkuan një investigimi të përbashkët të “Buzzfeed” dhe “BBC News”, që zbuloi bastvënie të dyshuara të paligjshme.

Autoritetet belge thonë se kanë bashkëpunuar me homologë bullgarë, holandezë, francezë, gjermanë, sllovakë dhe amerikanë, duke zhvilluar bastisje të njëkohshme gjatë së martës.

21 prona në Belgjikë u bastisën, ndërsa 13 persona u ndaluan me dyshimet për trukim ndeshjesh, korrupsion, pastrim parash dhe pjesëmarrje në aktivitete të krimit të organizuar.

Sipas raportit të gazetës belge “Le Soir” (në frëngjisht), sfidat në fjalë kanë ndodhur gjatë kompeticioneve “International Tennis Federation (ITF) Futures” dhe “Association of Tennis Professionals (ATP) Challenger”.

Një gjykatës do të vendosë nëse të ndaluarit do të arrestohen formalisht apo jo, thanë prokurorët.