‘Nga llamba me vajguri tek llamba Gjiknuri’-Iriqi bisedon me Damian Gjiknurin

Iriqi: - Sa ministri mbulon ti tani?

Gjiknuri: - As veten time nuk mbuloj. Rri tek zyra nja 10 orë në ditë e më vjen dosja.

Iriqi: - Cila dosje?

Gjiknuri: - Ajo e shefit. Unë u ve firmën dhe ikën dosja prapë andej nga erdhi. U thashë njëherë prisni të lexoj të paktën  një faqe. Qeshën e më thanë se as ai i madhi nuk i lexon. Edhe atij ia çojnë gati e u ve emrin sipër.

Iriqi: - Po kush i bën këto dosje atëherë?

Gjiknuri: - Ata që na dhanë votat.

Iriqi: - Populli, mo?

Gjiknuri: - Populli mori miellin. Votat na i dhanë ata që i vodhën. Si shpërblim duan koncesione, hidrocentrale, tendera...

Iriqi: - Pra Rama qenka kot?

Gjiknuri: - Rama është fare kot dhe për këtë ndjehet i lumtur. Se ai emrin do, zyrën e urren.

Iriqi: - Po ti nuk ke frikë nga firmat e verbëra që hedh?

Gjiknuri: - Tani s’ma ndjen fare. Se ma tha Rama. Damian, atë ditë që firmose fshirjen e borxheve të CEZ e ke burgun gati. Ndaj çfarëdo ta dhjes tani nuk më shtohet era e mutit. Ishin mbi 600 milionë që fala, andaj mjaftojnë të dënohem sa dy jetë. Prandaj syrin e kam pishë. I djegur që i djegur jam.

Iriqi: - Disa herë ke thënë që do bëjmë rrugën e Elbasanit, të Korçës, të Arbërit...

Gjiknuri: - Do bëjmë rrugën e Niko Peleshit.

Iriqi: - Të Korçës?

Gjiknuri: - Jo, jo, po kështu themi kur nuk do bëjmë gjë. Buxheti ynë ka lekë për interesat e borxheve dhe për shëtitjet e Ramës. Vitin tjetër s’do ketë as për pensione. Ndaj do nxjerrim ligjin e pensionit pas vdekjes. Ato vite që nuk i merr në të gjallë i marrin fëmijët pas vdekjes së pensionistit. Dmth do marrin Niko Peleshin.

Iriqi: - Në televizion the se sivjet Bregu do ketë drita pa pushim. Vërtet?

Gjiknuri: - Nuk e ke dëgjuar deri në fund. Do ketë pa pushim kur njerëzit do jenë në det. Kur të shkojnë në shtëpia e hotele të marrin me vetë llamba Gjiknuri.

Iriqi: - Llamba Gjiknuri?!

Gjiknuri: - Më fal. Llamba vajguri. Se drita do kenë Niko Peleshin.

Iriqi: - Po kështu do merrni vota për fushatën që po vjen?

Gjiknuri: - Zgjedhjet këtë herë mjerë kush i fiton. Është njësoj si çifti kur shkon në dhomë pas dasmës. Burri zbulon se gruan e paska burrë,si veten. Qeveria e ardhshme nuk do qeverisë as shendetësi, as arsim, as naftë, as rrugë, as porte, as... Për 35 vjet çdo gjë në duar e koncesionarëve. Lum ajo parti që humbet.

Iriqi: - Po ti?

Gjiknuri: - Në Kubë. Kam blerë qysh tani një shtëpi. Nuk e përballoj dot burgun, diellin do e duroj, edhe plazhin, edhe vapën...Do kem mall për vendin, por do e shtyj me mall cilësor...