Vrasja në Vlorë e biznesmenit, ja dyshimet e para të policisë

Një biznesmen kafeje u ekzekutua në një atentat të ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të hënës, 4 qershor në qytetein e Vlorës.

Sipas informacioneve të para viktima Vasil Dervishaj është ekzekutuar me breshëri plumbash nga persona ende të paidentifikuar.Ngjarja është shënuar në zonën e njohur si ish kombinati i peshkut, ose lagjja "Pavarësia". Viktima ishte me makinë dhe mendohet se është qëlluar pranë derës së makinës. Xhami i parmë dhe xhamat e pasagjerit ishin thyer.

Në informacionin paraprak të policisë së qytetit bregdetare thuhet se: Më datë 04.06.2018, në lagjen ''Pavarësia'' tek ish-kombinati i peshkut, është vrarë me armë zjarri shtetasi V.D., 29 vjeç, banues në Vlorë. Janë ngritur pika kontrolli dhe po krihet zona me qëllim kapjen e autorit. Grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, dhe për identifikimin e kapjen e autorit.

 

Edhe pse zyrtarisht policia rezervohet të japë detaje burime të ndryshme shpjegojnë se viktimës i ishte bërë pritë. Autorët pasi kanë qëlluar mendohet se janë larguar me një automjet tip benz me portbagazh ngjyrë e zezë. 

Vasil Dervishaj është pronar i një lokali dhe “Kafe Gimoka”-s, ndërkohë që është emër i njohur edhe për policinë e Vlorës, pasi ka qenë i arrestuar më parë për trafik droge. Pistat e para të hetimit janë ato për prishje të pazareve të drogës ose hakmarrje.

Policia ka ngritur pika kontrolli dhe po krihet zona me qëllim kapjen e autorëve, të cilët dyshohet se janë larguar në drejtim të Fierit për të humbur gjurmët.

Policia ka ndaluar disa persona gjatë natës për ti marrë në pyetje. Ndërsa pritet që të merren në pyetje edhe familjarët për të hedhur dritë mbi konfliktet e mundshme që mund të ketë pasur 29-vjeçari që mbeti i vrarë.

Në lagjen ku ju bë atentat Vasil Dervishaj mendohet se ka dhe shtëpinë. Viktima është babai i një fëmije të mitur.