‘Financime terroriste në Shqipëri e Kosovë’, deklarata e Haradinajt

Në Kosovë edhe në Shqipëri ka pasur financime të personave nga terroristët, u shpreh Kryeministri i Kosovës Ramush Haraniaj në një aktivitet në Tiranë.

Konferenca Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, në kuadër të Aqaba Meeting, zhvillohen për herë të parë në Tiranë, e cila është pritur nga kryeministri Rama. Në të marrin pjesë krerë të disa qeverive të Ballkanit, përfshi atë të Kosovës, Ramush Haradinaj, si dhe përfaqësues të Shkupit dhe Sofjes.

Aqaba Meeting, ose Takimet e Akabës, janë një iniciativë e Mbretit të Jordanisë, Abdullah, e për herë të parë organizohen jashtë vendit të tij që prej themelimit në vitin 2015.

“Toleranca fetare është një thesar i vërtetë, që ne duhet ta mbrojmë. Brezat e ardhshme duhet të jenë të ndërgjegjshëm për këtë thesar”, theksoj Rama gjatë fjalës së tij.

Vetë Mbreti Abdullah i Jordanisë ishte parashikuar që të vinte në Tiranë për të marrë pjesë në bisedimet dhe takimet kundër terrorizmit, por zhvillimet e brendshme në Jordani, duket se kanë ndryshuar planet e tij dhe në vend të tij në Shqipëri ka mbërritur Princi i Jordanisë, i cili theksoi se “Problemet duhet të zgjidhen me bashkëpunim”.

Kryeministri i Kosovës, Haradinaj theksoi se nuk bëhet fjalë për persona që janë pjesë e islamit, por për terroristë. Ai theksoi se si në Kosovë edhe në Shqipëri ka pasur financime të personave nga terroristët.

“Historia jonë dhe harmonia jonë na ndihmon në këtë rrugë. Ne kemi një identitet që është me të vërtetë i fuqishëm i pasur. Ata nuk janë islamik, por janë terroristë. Ata e akuzojnë rrjetin islamik dhe fatkeqësisht kanë financuar dhe kanë disa nga njerëzit e tyre në Kosovë dhe në Shqipëri. Kosova është e ndërgjegjshme sa i përket rrezikut të terrorizmit. Si vend i vogël ne kemi pasur disa qytetarë që janë drejtuar në luftën. Në Siri ka akoma kosovarë dhe fëmijë. Ka një proces hetimi në Kosovë dhe 35 janë vënë në pranga”.

Po ashtu si edhe në konferencën e përbashkët me Kryeministrin Rama edhe në Konferencën kundër ekstremizmit të dhunshëm, Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, u shpreh se vendet e Ballkanit Perëndimor dhe kryesisht Shqipëria duhet të mbështeten nga vendet e BE dhe egoizmi i disa prej tyre duhet të kapërcehet.

“Egoizmi i disa vendeve europiane duhet të kapërcehet ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, por sigurisht qenë këto vende duhet të ketë edhe reforma. Takimi i sotëm tregon pikërisht që Shqipëria bën përpjekje. Unë besoj se ne duhet të mbështesim këtë qendër për luftën kundër ekstremizmit. Vendi më i bukur i botës është më i varfër dhe më i prapambetur. Elita politike duhet të marrë mësime dhe të punojë më mirë”, tha Boyko Borissov, Kryeministri i Bullgarisë.