Pronarët, ndryshohen procedurat për kompensimin

Agjencia e Trajtimit të Pronave ndryshon procedurat për shqyrtimin e dosjes së ish-pronarëve. Përmes një njoftimi zyrtar ATP bën të ditur se ka kaluar në portalin e-Albania aplikimin për ankesë dhe trajtim i dosjes me specialistin përkatës, si dhe aplikimin për kërkesë për statusin dhe problematikat e shqyrtimit të dosjes. Me anë të dërgimit online të kërkesës për marrjen e informacionit, vetë Agjencia e Pronave, përmes personave përgjegjës, kryen shqyrtimin e kërkesës bashkë me dokumentacionin shoqërues. Në rastin kur kërkesa është e rregullt, ajo trajtohet nga specialistët dhe brenda 30 ditësh qytetarit të interesuar i kthehet përgjigjja online përmes emailit si dhe te seksioni “Hapësira ime” në portalin e-Albania. Në rast se përgjigjja kërkohet edhe në letër, atëherë qytetari duhet të paraqitet fizikisht pranë sporteleve të ATP-së. Edhe kur aplikimi për kërkesën nuk është sipas rregullave të paracaktuara, sërish njoftimi i qytetarit bëhet me email, duke shmangur çdo lloj keqkuptimi të mundshëm. “Gazeta Shqiptare” zbardh gjithë procedurën që duhet të ndiqet për aplikim si dhe dokumentet që duhet të dorëzohen përmes portalit qeveritar. Kostoja e aplikimit është 3 mijë lekë, ndërsa afati i shqyrtimit të kërkesës vetëm 30 dite.

Dokumentacioni i nevojshëm
Bazuar në VKM nr. 255/2010 “Për procedurat e mbledhjes, të përpunimit dhe administrimit të kërkesave të subjekteve të shpronësuara gjatë procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronës” subjektet e shpronësuara (trashëgimtarët apo përfaqësuesi me prokurë) paraqesin pranë ATP-së, Tiranë (përveç kërkesës për njohjen, kthimin apo kompensimin e pronës) dhe dokumentacionin e nevojshëm. Bazuar në VKM nr. 255/2010 “Për procedurat e mbledhjes, të përpunimit dhe administrimit të kërkesave të subjekteve të shpronësuara gjatë procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronës” subjektet e shpronësuara (trashëgimtarët apo përfaqësuesi me prokurë) paraqesin pranë ATP-së, Tiranë (përveç kërkesës për njohjen, kthimin apo kompensimin e pronës) dhe dokumentacionin e nevojshëm.

Dokumentacioni

1.Kërkesë sipas formularit Tip (për subjektet që depozitojnë kërkesa të reja sipas vendimit të gjykatës për rivendosje në afat);
2. Kërkesa nënshkruhet nga subjekti i shpronësuar apo nga përfaqësuesi me prokurë;
3. Mandatpagesë për shqyrtimin e kërkesës (për subjektet që depozitojnë kërkesa të reja);
4. Dëshmi trashëgimie, në rast se subjekti i shpronësuar ka vdekur;
5. Dokument identifikimi i subjektit të shpronësuar apo përfaqësuesit me prokurë.
Dokument ligjor: (një ose më shumë nga të poshtëshënuarit me përjashtim të pikës c):
1. Vërtetim pronësie, i shoqëruar me një kopje të fletës përkatëse të regjistrit hipotekor lëshuar nga ZVRPP për efekt të kthimit dhe kompensimit të pronës;
2. Dokumentin kadastral, shoqëruar me një kopje të fletës përkatëse të regjistrit kadastral nga zyra e administrimit dhe mbrojtjes së tokës në qark;
3. Vendim gjyqësor i formës së prerë së bashku me hartën e pasurisë të vulosura me vulën e gjykatës dhe të shoqëruar me akt ekspertimin përkatës, në rast se gjatë gjykimit të çështjes është kryer një i tillë;
4. Dokument që vërteton shpronësimin, shtetëzimin apo konfiskimin e pronës së subjektit të shpronësuar, sipas akteve ligjore e nënligjore, vendimeve penale të gjykatave ose në çdo mënyrë tjetër të padrejtë që nga data 29.11.1944 ; apo dokumenti për pasuritë e paluajtshme të shtetasve shqiptarë të krijuara para datës 7 prill 1939, të cilat janë sekuestruar sipas nenit 14 të ligjit nr. 37, datë 13.01.1945 “Ligja e tatimit të jashtëzakonshëm për fitimet e luftës”.
5. Vendimet e mëparshme të ish-K.K.K.P të marra sipas ligjeve: nr. 7698, dt.15.04.1993, ose nr. 7699, dt. 21.04.1993, dhe nr. 9235, dt. 29.07.2004, të cilat janë marre para hyrjes në fuqi të ligjit 9583, dt.17.07.2006, të ndryshuar.
6. Dokument i lëshuar nga Arkiva e Shtetit në rastet kur dokumentet hipotekore apo kadastrale apo të shpronësimit janë të depozituara tek ky institucion apo çdo dokument tjetër i lëshuar nga institucionet shtetërore që kanë vlerë provuese për hetimin administrativ të çështjes;
7. Dokument lëshuar nga arkiva hipotekore që ndodhen pranë Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, si dhe çdo dokument tjetër ligjor i nevojshëm për zgjidhjen e drejtë të çështjes.
Dokument hartografik për pozicionimin gjeografik të pronës, i cili sipas rastit përbëhet:
1. Dokument hartografik të mëparshëm, që i takon kohës nga fitimi i të drejtës së pronësisë deri në marrjen e padrejtë të pronës nga shteti.
2. Dokument hartografik aktual i cili përmban të dhëna topografike mbi pronën e pretenduar, i konfirmuar nga institucioni që e lëshon atë .
Në çdo rast që subjekti depoziton kërkesë të re, sipas një vendimi gjyqësor për rivendosje në afat, pjesë e dokumentacionit shoqërues është edhe vendimi i gjykatës për rivendosjen në afat.
Hapat e procedurës
1. Subjekti i shpronësuar depoziton, drejtpërdrejt ose me postë, në ATP kërkesën për njohjen/ kthimin apo kompensimin e pronës, shoqëruar me dokumentacionin e lartpërmendur.
2. Kërkesa e subjektit të shpronësuar duhet të jetë sipas formularit tip, të miratuar nga Ministri i Drejtësisë, me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm të ATP-së, (ky formular gjendet në website-in zyrtar të ATP-së).
3. ATP-ja pranon dhe administron kërkesat e subjekteve të shpronësuara kundrejt tarifave të përcaktuara, me urdhër të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe të Ministrit të Financave.
4. Në rastet kur ATP-ja konstaton mungesë në dokumentacion, subjektit të shpronësuar i kërkohet plotësimi i dosjes përkatëse, brenda 30 ditëve nga çasti i marrjes së njoftimit për plotësim dokumentacioni.
5. Kërkesat e subjekteve të shpronësuara, të cilat depozitohen nëpërmjet shërbimit postar dhe kanë mangësi në dokumentacionin shoqërues, do t’i kthehen kërkuesit në adresën e dhënë, duke i kërkuar plotësimin e dokumentacionit sipas dispozitave të VKM nr. 255/2010. Kërkesa, së cilës i mungon adresa e saktë postare, vlerësohet jo e mirëqenë dhe riaktivizohet vetëm me interesimin e kërkuesit pranë zyrave të ATP-së. Në çastin e konstatimit, nga struktura përkatëse e ATP-së, bëhet shpallja publike në mjediset e ATP-së dhe në njësitë e qeverisjes vendore, ku ndodhet prona, objekt pretendimi. Kërkesa e subjektit të interesuar pranohet brenda një afati 3-mujor nga data e konstatimit, në të kundërt kërkesa e subjektit nuk pranohet, me vendim të drejtorit të Përgjithshëm të ATP-së.
6. Dosja/kërkesa qëndron në sektorin e shqyrtimit deri në plotësimin e plotë të dokumentacionit ligjor dhe teknik të kërkuar, por jo më shumë se 30 ditë nga dita kur subjekti titullar i dosjes ka marrë dijeni për mangësitë e saj. Në rast të mosplotësimit të dokumentacionit të kërkuar brenda afatit të sipërcituar, propozohet marrjen e një vendimi në gjendjen që janë aktet.
7. Të gjitha kërkesat për njohje dhe kthim të pronës, në zyrat e ATP-së shqyrtohen sipas rendit kronologjik të paraqitjes së tyre në ish- ZRKKP apo ATP Tiranë.
8. ATP-ja, pas shqyrtimit të kërkesës merr një vendim për dosjen/kërkesën për pranimin/rrëzimin e plotë/e pjesshëm të saj.
9. Në çdo rast ATP-ja, i dërgon me postë subjektit një kopje të vendimit të saj.
Kostot
3,000 lekë – kërkesë për shqyrtim

Kërkesë për statusin dhe problematikat e shqyrtimit të dosjes për ish-pronarët

Shërbim elektronik “Kërkesë për statusin dhe problematikat e shqyrtimit të dosjes” u vjen në ndihmë qytetarëve që të dërgojnë online kërkesën për të marrë informacion në lidhje me ecurinë e shqyrtimit të dosjeve të ndjekura nga Agjencia e Trajtimit të Pronave(ATP).
Pas dërgimit të aplikimit, specialisti i Zyrës Juridike, pranë ATP-së, bën shqyrtimin e kërkesës dhe të dokumentacionit shoqërues nëse ka. Në rastin kur kërkesa është e rregullt, specialisti përpilon përgjigjen për kërkesën e aplikantit dhe ia dërgon me e-mail , si dhe tek “Hapësira ime” në seksionin “Dokumentet e mia” në portalin e-Albania. Nëse përgjigjja është kërkuar edhe në formatin letër, atëherë ai njoftohet se duhet të paraqitet pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave për ta tërhequr atë. Në rastin kur aplikimi nuk është i rregullt dhe nuk pranohet, aplikanti njoftohet për këtë fakt me anë të e-mail.

Dokumentacioni i nevojshëm

1. Dokument identifikimi; kartë identiteti ose pasaportë biometrike ( i nevojshëm për t’u loguar në portal)
2. Formulari i aplikimit për informim në lidhje me ecurinë e dosjes
3. Dokumentacion shtesë, nëse është e nevojshme

Hapat e procedurës
1. Logohuni si qytetar në portalin e-Albania
2. Zgjidhni shërbimin “Kërkesë për statusin dhe problematikat e shqyrtimit të dosjes”
3. Plotësoni te dhënat e formularit, duke bashkëngjitur dhe dokumente plotësuese nëse është e nevojshme
4. Klikoni butonin “Dërgo”
5. Specialisti i i Zyrës Juridike bën shqyrtimin e aplikimit dhe përpilon përgjigjen duke ia dërguar aplikantit të nënshkruar në mënyre dixhitale ose me postë në hard copy, në varësi të kërkesës së aplikantit

Koha e nevojshme për marrjen e shërbimit
30 ditë