Protesta në Rrugën e Kombit, reagon AP: Policia nuk mund ta ndalojë

Avokati i Popullit ka deklaruar sot se qendrimi i Policisë së Kukësit për të ndaluar protestën në Rrugën e Kombit ishte shqetësues, pasi Policia nuk ka tagër për të lejuar apo kundërshtuar protestat. Për këtë arsye, Avokati i Popullit ka përgatitur një Rekomandim që do t'i paraqitet Kuvendi këto ditë jo vetëm për këtë rast, por edhe për dy protesta të tjera, atë të opozitës më Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" dhe atë të komunitetit rom në Korçë për vdekjen e dyshimtë të Enea Ftoit.

DEKLARATA E PLOTE:

Institucioni i Avokatit të Popullit është angazhuar së fundi në monitorimin, hetimin dhe nxjerrjen e rekomandimeve në lidhje me ngjarjet që kanë qenë në fokusin e opinionit publik kohët e fundit.

Pas monitorimit të ngjarjeve të zhvilluara në Kukës pas protestës së qytetarëve që kundërshtonin vendosjen e një tarife kalimi në rrugën e Kombit, Avokati i Popullit ka përgatitur rekomandimin përkates me qëllim përmirësimin e veprimtarisë në punën e organeve ligjzbatuese për të gjitha institucionet e përfshira në këtë ngjarje. Rekomandimi në fjalë, do të paraqitet në ditët në vijim në Kuvendin e Shqipërisë për shqyrtim.

Elementi më shqetësues për të cilin Avokati i Popullit ka evidentuar në Rekomandimin e tij, është kundërshtimi nga ana e Policisë së Kukësit, të kërkesës së qytetarëve për zhvillimin e tubimit të tyre. Avokati i Popullit çmon se e drejta për tubime dhe protesta është e drejtë kushtetuese në Republikën e Shqipërisë. Autoritetet policore mund vetëm të informohen për të garantuar ushtrimin e kësaj të drejte. Ato nuk kanë asnjë tagër për të dhënë leje apo për të kundërshtuar lejen për zhvillimin e protestave prandaj për këtë arsye, qëndrimi i Policisë së Kukësit për të ndaluar zhvillimin e protestës në fjalë, është në gjykimin e institucionit tonë, një element shqetësues i cili është pasqyruar në rekomandimin që do t’i paraqitet Kuvendit.

Në lidhje me rastin e vdekjes së qytetarit E. F, në ambientet e Komisariatit të qytetit të Korçës, Institucioni i Avokatit te Popullit hetoi rastin lidhur me veprimet e kryera nga i gjithë zinxhiri veprues i policisë, për të evidentuar çdo veprim apo mosveprim jashtë-rregulloreve të përcaktuara i cili mund të ketë ndikuar në vdekjen e të ndjerit. Avokati i Popullit është ndërkohë në pritje të rezultatit të ekspertizës mjeko-ligjore, me qëllim dhënien e konkluzionit përfundimtar mbi këtë ngjarje të rëndë.

Gjithsesi, nga hetimi i kryer për këtë rast deri në këto momente nuk kemi mundur të konstatojmë veprime sikurse janë ato të bëra publike në media dhe të pretenduara nga familjarët e të ndjerit të cilat mund të kenë çuar në vdekjen e tij.

Ndonëse në pritje të ekspertizës, Avokati i Popullit megjithatë, ka konstatuar dhe bërë rekomandime në lidhje me përmirësimin e funksionimit të kamerave të sigurisë në ambientet e paraburgimit në Korçë si në cilësi ashtu edhe në sasi, si edhe në lidhje me kualifikimin e stafit mjekësor. Gjithashtu Avokati i Popullit, ka konstatuar shqetësime edhe në lidhje me moslejimin e një tubimi proteste nga ana e një shoqate të komunitetit rom, pikërisht për çështjen në fjalë.

Për një rast tjetër të pretenduar për dhunë përsëri po në komisariatin e Korçës, pas ankesës së një qytetareje për djalin e saj me inicialet T.T më datë 30.05.2018, përsëri ekspertë të zyrës së Avokatit të Popullit zhvilluan një inspektim në qytetin e Korçës. Hetimi është ende në fazën e zhvillimit dhe konkluzionet do të bëhen të ditura në ditët në vijim së bashku me rekomandimin përkatës.

Gjithsesi, Avokati i Popullit gjen rastin të përsërisë apelin e tij drejtuar prej shumë kohësh tashmë autoriteteve përgjegjëse, për të përmirësuar gjendjen, infrastrukturën si dhe personelin e kualifikuar mjekësor në shumë nga Komisariatet ku ndodhen qendrat e paraburgimit apo burgjet e vendit, përfshi këtu edhe Komisariatin e qytetit të Korçës.

Në lidhje me një tjetër ngjarje, që ka të bëjë me episodet e dhunshme gjatë protestës së ditës së shtunë të zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas pranë ndërtesës së Ministrisë së Brendshme, sërish Avokati i Popullit ka qenë present me një numër të madh ekspertësh në terren për të ndjekur dhe monitoruar gjithçka nga afër.

Përfaqësuesit e Institucionit, gjithashtu kanë ndjekur edhe në Spitalin e Traumës gjendjen e të dëmtuarve, si nga ana e protestuesve edhe nga ana e punonjësve të Policisë.

Për këtë rast Institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur një hetim të pavarur institucional si për veprimet e punonjësve të Policisë ndaj një gazetari të dëmtuar në protest, po ashtu edhe të protestuesve ndaj punonjësve të Policisë apo pronës publike të dëmtuar gjatë incidenteve.

Institucioni i Avokatit te Popullit gjen rastin të nënvizojë se konstaton në vazhdimësi veprime shqetësuese ndaj qytetarëve në ngjarje të caktuara në përballjen me veprimtarinë e organeve të Policisë në ambiente të mbyllura apo sheshe publike, shoqëruar me pasoja të rënda për jetën e tyre, sikurse janë ngjarjet e bëra publike edhe ditëve të fundit në Korçë, Vlorë, Shkodër apo Tiranë.

Avokati i Popullit mbetet një derë e hapur për të gjithë qytetarët, në çdo rast kur mund të kenë nevojë për ndihmë në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të tyre civile.