Haxhi Krasniqi mposht boksierin rus, shpallet kampion Europe

Boksieri shqiptar, Robin Haxhi Krasniqi, fitoi titullin e kampionit të Europës (EBU) pasi mposhti rusin Stanislav Kashtanov në një duel të zhvilluar mbrëmjen në Gjermani.

Robin Krasniqi, i njohur më mirë si Haxhi Krasniqi, dominoi duke i dhënë goditje të forta kundërshtarit të tij pothuajse në çdo raund nga 12 sa zgjati dueli.

Me këtë triumf, shqiptari nga Juniku i ka hapur vetes rrugën për titullin kampion i botës, pasi tani mund të konsiderohet ndër pretendentët kryesorë për kampion të botës në këtë kategori.

Krasniqi boksoi në kategorinë super të mesme duke u treguar më i fuqishëm e rusi Kashtanov në meçin e zhvilluar në “Wee Arena” në Bad Tolz të Gjermanisë.

Krasniqi tani ka 48 fitore nga 53 duele. Ai i shkaktoi Kashtanovit humbjen e tretë në karrierë, pasi deri para këtij dueli ai i kishte 36 fitore nga 38 sfida të zhvilluara.