Panucci: Kundër Ukrainës, do të ndryshojmë modulin e lojës

Në prag të ndeshjes me Ukrainën, Christian Panucci ka dalë në konferencën për mediat ku ka folur për situatën në ambientin kuqezi.

 

Tekniku italian premtoi se në duelin kundër ukrainës do të ndryshohet moduli i lojës.

 

Keni menduar ndryshim moduli, apo ndryshim emrash për sfidën me Ukrainën?
Diçka duhet të bëjmë dhe diçka do të ndryshojmë. Nuk dua të përcjell justifikime, por këta janë lojtarët që kemi të grumbulluar. Megjithatë do të provojmë të ndryshojmë diçka.

Fusha ku do të luhet, është më shumë terren stërvitor, sesa stadium. Keni biseduar me Shevchenkon për këtë?
Kam folur me Shevchenkon dhe jemi dakord që stadiumi nuk është i një niveli të lartë. Gjithsesi është një terren ku mund të luhet mirë futboll dhe mua më intereson të shoh skuadrën time të luajë mirë dhe të tregojë vlerat në fushë.

Do të ndikojë mungesa e tifozërisë?
Mungesa e tifozërisë natyrisht që është një element për t’u marrë në konsideratë, por neve nesër duhet të përqendrohemi në fushë. Duhet të tregojmë se nuk jemi ata që luajtën ndaj Kosovës dhe kemi shumë motive për të bërë mirë. Natyrisht që nuk do të ketë shumë në stadium, do të jenë të shumtë para televizorit dhe duhet të bëjmë mirë.