1 miliardë euro çdo ditë humbi Italia nga kriza

Italia më në fund ka një qeveri, paçka se shumëkush është skeptik mbi efikasitetin e kësaj qeverie.Gjithsesi, deri sa arriti në këtë pikë, ekonomia e tretë më e madhe e Eurozonës ka kaluar shumë. Dhënia fund e këtij kalvari të gjatë u vërejt edhe në sesionin e të Premtes me reagimin e bursave, me atë të Milanos në rritje të ndjeshme, si pasojë e frymëmarrjes së lirë të investitorëve pas shumë kohësh vuajtje.

Përllogaritjet tregojnë se, gjatë periudhës së krizës së thellë politike dhe institucionale Italia ka humbur plot 1 miliard euro në ditë.

Kanë qenë 88 ditët e konsultave për të krijuar qeverinë dhe 83 miliardë eurot e humbura në formë aksionesh apo titujsh qeveritare.

Nga data 5 Mars , e nesërmja e votimit, deri në  31 Maj kanë ndodhur shumë gjëra në skenën politike të Italisë, shkruan Scan.tv. Gjithsesi, 21 miliardë prej tyre u rikuperuan vetëm në një ditë të vetme, të premten e betimit të qeverisë së ndryshimit.

Pavarësisht qetësimit të tregjeve, frika ekziston dhe është ende aty. Qeveria e ndryshimit ka premtuar të revolucionarizojë bilancet, duke rritur ndjeshëm shpenzimet, gjë që do të vendosë në rrezik financat e vendit, hapin e reformave duke e vënë Romën zyrtare në përplasje total me Brukselin.

Veç të tjerash, Moody`s ka deklaruar se ka nisur procedurat e deklasimit të borxhit të vendit, gjë që do të ketë pasoja të rënda në ekonominë italiane.