Survejimi i Lulzim Bashës, Policia e Shtetit vendos të bëjë politikë dhe akuza

Policia e Shtetit ka reaguar duke përgënjeshtruar lajmin se është duke mbajtur në survejim Lulzim Bashën dhe familjen e tij.

Në vend që policia të sqarojë me fakte nëse Basha po survejohet nga segmente të caktuara të saj apo jo, ka vendosur që të bëjë akuza dhe politikë.

‘Me keqardhje konstatojmë se lajmi në fjalë duket i fabrikuar nga zyrat e një partie politike dhe jo nga redaksi serioze’, thotë Policia e Shtetit.

Reagimi i Policisë së Shtetit:

Përgënjeshtrim rreth lajmit se familja Basha mbahet nën survejim - përmbajtja e shkrimit, një spekulim mediatik për qëllime të mbrapshta

Lidhur me shkrimin e botuar në gazetën “Panorama”, të datës 1 qershor 2018, me titull “Hije skandali, Policia mban në survejim familjen Basha”, sqarojmë se:

Nuk është aspak e vërtetë që familja e z.Lulzim Basha, kryetar i PD-së, apo familjarë të tij, të mbahen nën vëzhgim nga forca policore.

Përmbajtja e shkrimit është tërësisht një spekulim  mediatik me synim mashtrimin dhe keqinformimin e opinionit publik për qëllime që i gjykojmë të mbrapshta. Me keqardhje konstatojmë se lajmi në fjalë duket i fabrikuar nga zyrat e një partie politike dhe jo nga redaksi serioze.

Informimi i publikut rreth veprimtarisë së institucioneve të shtetit është një e drejtë e garantuar me ligj, prandaj nëse dikush do të kishte interes rreth së vërtetës, do ta merrte informacionin lehtësisht në rrugë zyrtare.

Fakti që asnjë nga institucionet e përmendura nuk është kontaktuar nga media në fjalë, na krijon dyshimin se në këtë rast kemi të bëj   më me keqpërdorim flagrant të një gazete nga ana e politikës.

Me këtë rast theksojmë se z.Basha përfiton nga statusi si kryetar i opozitës, masa shtesë dhe shoqërohet nga forca të Gardës së Republikës.

Por nuk ka në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, monitorim survejues të tij nga strukturat e Policisë së Shtetit.

Duke vlerësuar rolin e medias, Policia e Shtetit është e gatshme për t’iu përgjigjur çdo çështjeje me interes publik, në funksion të mirinformimit të qytetarëve.