Vetingu, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ‘kontrollon’ sot gjyqtaren e Kurbinit, Marçela Shehu

Marçela Shehu, gjyqtare në Gjykatën e Kurbinit, është gjyqtarja e radhës që do kalojë në sitën e Vettingut.

Seanca dëgjimore ndaj saj do të zhvillohet sot në ora 10:00. Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) përbëhet nga Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici.

Gjyqtarja e Kurbinit Marcela Shehu është kandidate për në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Marçela Shehu, gjyqtare e Gjykatës së Kurbinit është një nga 14 kandidatët për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe për rrjedhojë, edhe pjesë e listës prioritare të vetingut. Shehu do të përballet më 1 qershor në seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, që përfaqësohet në këtë proces nga Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici.

Marçela Shehu e nisi karrierën në gjyqësor në vitin 2006. Ajo ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës dhe pasi punoi për pak muaj në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtare e Gjykatës së Kurbinit-pozicion të cilin e mban edhe sot.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Marçela Shehu nga viti 2006 deri në vitin 2016.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administratimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriatin i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtarja Marçela Shehu zotëronte një pasuri familjare prej 1.3 milionë lekësh në vitin 2006. Në fund të vitit 2016, pasuria e saj është dyfishuar, duke kapur vlerën e rreth 2.7 milionë lekëve.

Pasuria familjare e zonjës Shehu ndahet në 200 mijë lekë llogari bankare, 1.5 milionë lekë kursime në cash dhe rreth 1 milion lekë automjete. Gjyqtarja ka gjithashtu në bashkëpronësi një shtëpi private të ndërtuar në vitet 1998-2000, të cilën e ka përfituar si rrjedhojë e martesës dhe e ka deklaruar atë në vitin 2007.

Të ardhurat e gjyqtares Shehu përbëhen vetëm nga paga e saj dhe ajo e bashkëshortit, të cilat kapin në total vlerën e 12.9 milionë lekëve. Përgjatë viteve në karrierë, zonja Shehu ka shënuar një rritje mesatare të pasurisë prej 133 mijë lekësh në vit.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin artimetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Në rastin e zonjës Shehu iu nënshtruan kontrollit aritmetik-logjik 11 deklarata pasurie, të cilat rezultojnë të gjitha pa probleme.