Tronditet Zvicra/ Berhami dëmton Xhakën në stërvitje, rrezikon Botërorin

Granit Xhaka është dëmtuar në gjurin e majtë gjatë stërvitjes me kombëtaren e Zvicrës dhe pavarësisht se është shumë herët për një vendim përfundimtar rrezikon seriozisht pjesëmarrjen në Kupën e Botës.

25-vjeçari nuk mundi të dilte nga fusha vetë dhe u desh të ndihmohej nga pjesëtarë të stafit të kombëtares zvicerane pasi pësoi një dëmtim në gju dhe sipas raportimeve në mediet helvete është dërguar menjëherë në spital për një kontroll më të detajuar.

Lojtari i Arsenalit nuk do të ketë mundësi të luajë këtë fundjavë në ndeshjen miqësore kundër Spanjës dhe të gjithë në Zvicër, por edhe pak në Shqipëri, do të presin në ankth për diagnozën zyrtare të dëmtimit.

Në momentin e dëmtimit të Xhakës, lojtarët e Zvicrës po stërviteshin në kushte tepër të vështira moti, me shi të dendur dhe një ndërhyrje e Valon Behramit ka lënë Xhakën të shtrirë në tokë në pamundësi për të lëvizur.