‘Habilajt’, prokuroria italiane e Katanias merr në dorë dhe ‘dosjen Tahiri’

Seanca e sotme në Katania, ku Moisi Habilaj dhe 13 personat e tjerë të arrestuar nga policia italiane gjatë operacionit ‘Rose dei venti’, ka bërë që të publikohen edhe detaje të reja.

Mësohet se Prokuroria e Katanias që ka bërë hetimin e parë, ka marrë edhe fashikujt e dosjes ‘Tahiri-Habilaj’, që po hetohet në Shqipëri nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Në dosjen e prokurorit italian, Andrea Bonomo mësohet se është futur edhe hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë dhe dëshmitë që prokurorët Besim Hajdarmataj e Vladimir Mara i kanë marrë Moisi Habilajt, Nazer Seitit dhe Meridian Sulaj, vetëm dy ditë më parë.

Dy prokurorët shqiptarë ndodhen në Katania për llogari të hetimit që po zhvillohet në Shqipëri nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, kushëriri i Habilajve. Emri i Tahirit ka dalë shumë herë gjatë bisedave që policia italiane u ka përgjuar Habilajve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, gjatë hetimit për operacionin ‘Rosa dei venti’.

Në kërkim është ende Florian Habilaj, ndërsa nuk do të bëhet pjesë e këtij procesi Nazer Seiti.

Ky i fundit mbahet edhe si financieri i grupit të Habilajve. Seiti u prangos në Vlorë disa muaj më parë dhe u ekstradua në mënyrë të çuditshme në Itali, nga ana e ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme.

Seiti aktualisht nuk ndodhet në burgun e Katanias si pjesa tjetër e organizatës kriminale, por është në Romë në burgun e Rebibbia-s.

Ekstradimi i Seitit në Itali, ndërsa ndaj tij është hapur një hetim në Shqipëri, ka sjellë polemika të shumta në vendin tonë, ndërsa të shumta kanë qenë akuzat politike të bëra nga opozita drejt Edi Ramës dhe qeverisë së tij.

Marrë nga Meridionews.it-Përgatiti: SYRI.net