Qershori i mbramë i Edi Ramës

Qershori ka rezultuar muaji më me fat deri tani për Edi Ramen, muaj që ka shënjuar gurët kilometrike të karrierës së tij. Qershor 2013, fitoi zgjedhjet. Qershor 2017 rifitoi pushtetin, me ato që u njohën si zgjedhje shumë të diskutueshme.

Me shume se kaq, nuk ka se ç'të pretendojë dikush që merret me politike.

Ky qershor ku sapo kemi shkelur, ndryshon shumë me të mëparshmit, dhe të gjitha gjasat janë që mos të ketë për Edi Ramën të njëjtën shije. Gjasat janë që të jetë i hidhur, përmbysës për të.

Megjithëse rravgon nëpër Europë, si në qershorin e Leopold Bloom të James Joyse, njësoj, asgjë heroike nuk ka në këtë rrugëtim të gjatë për tu kthyer në fund në Itakë pa lavdi.

Sepse Edi Rama ka zgjedhur jo vetëm të mos konsiderojë elementin kryesor për hapjen e negociatave, që është realiteti dhe punët në Shqipëri, po për më tepër, me vetëdije ngjan se këtë aspekt po e përkeqëson çdo ditë.

Duke e lënë krimin, drogën, lidhjet e qeverisë me trafikun, si çështje e brendshme e parëndësishme, ai po tenton çdo ditë nëpër qendrat e Europës, të shesë një mall kallp, të paketuar bukur. Kjo nuk ka se si të funksionoje. Na pranoni siç jemi, thotë ai, se i rregullojmë pastaj gjerat. Vetëm thoni ‘Po’, vetëm hapni negociatat. Nuk i kushton BE-së asnjë cent.

E mbrojti deri në fund ministrin që u bë i njohur botërisht për lidhjen me kryebandën e kanabisit, dhe tani i thotë Europës, pse nuk hap negociatat kur nuk do shpenzosh asgjë. Tahiri, krimi, droga, qenkan çështje të imëta të brendshme. Punë të tijat si me thënë, s’ka çi duhet Brukselit.

Duke e reduktuar hapjen e negociatave si një aferë, Edi Rama po e zhvesh nga çdo gjë solemne që ajo ka, që ka të bëjë me vlerat e Europës, si shteti ligjor, demokracia, transparenca, llogaridhënia, etj.

Rama nuk po bën asnjë përpjekje edhe në ditët e mbetura deri me 28 of June, për të treguar të paktën vullnet politik lidhur me kriteret që kërkon kontinenti i vjetër.

Kërkesa e tij për hapjen e negociatave, ngjan në thelb me një thirrje të dëshpëruar; thoni Po, që unë të vazhdoj karrierën. Karriera e tij, më e rëndësishme se integrimi, se e ardhmja e Shqipërisë. 

Pikërisht tek kjo thirrje e përsëritur, thoni Po, një Po nuk iu kushton asgjë, vetëm hapni negociatat, pastaj të bëhet ç’të bëhet, nga ky refren, mbërrijmë në qershorin e mbramë të Edi Ramës. Ai po e paraqet dhe vete tani, në mënyrë ulëeritëse, se një ‘Jo’ nga Europa, është një përmbysje në fatin e tij politik.

Të gjitha shenjat janë që negociatat nuk hapen, që vendet anëtare në Këshillin e Europës nuk do thonë Po.

Ky do te ishte pa asnjë diskutim, një refuzim i qeverisë, jo i Shqipërisë, nga BE. Saktësisht një refuzim i Edi Ramës. Qershorin e shkuar, Europa vendosi ti japë edhe një shans, ia njohu zgjedhjet dhe e mbajti në krye.

Po, kaq shumë është qelbur puna me krimin, me drogën, me sundimin si vezir i lindjes, sa nuk kaloi as një vit, dhe në qershorin e 2018, e njëjta Europe me gjasë ka vendosur ti thotë ‘Jo’ Edi Ramës.

I konsumuar totalisht në opinionin e brendshëm dhe para qytetareve, i gjendur në varferi idesh, vizionesh e batutash, një goditje edhe nga Brukseli do të ishte fatale për të. Ndaj, ky ngjan vërtetë të jetë Qershori i mbramë i Edi Ramës, pas shumë syresh që kanë sjellë jo pak mbrothësi për të.