Gjyqarët dhe prokoruri nën hetim, liruan të akuzuarit për vrasjen e Marvi Mihalit

Tre gjyqtarët që liruan personat e akuzuar për bashkëpunim në vrasjen e të riut Marvi Mihali, merren në hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Kjo e fundit ka regjistruar në hetim kallëzimin e bërë nga babai i viktimës së vrasjes për një kariekues celulari edhe ndaj prokurorit Artan Lulaj dhe oficerit që ka hetuar çështjen.

Prokuroria e Krimeve të Rënda nis hetimin për gjyqtarët dhe prokurorin që liruan tre personat e akuzuar për bashkëpunim në vrasjen e Marvi Mihalit për një karikues celulari një vit më parë. Burime zyrtare nga prokuroria e krimeve të rënda kanë thënë për Ora Neës, se është vendosur regjistrim në hetim i i kallëzimit të bërë nga babai i viktimës, ndaj gjyqtarëve Sokol Pasho, Bedri Qori si dhe prokurorit të çështjes Artan Lulaj dhe oficerin e policisë gjyqësore Kliton Zhari.

Burimet e prokurorisë thanë se është regjistruar kallzimi penal i shtetasit Pavllo Mihali, babai i të riut të vrarë. Sipas organit të akuzës, kallzimi penal është ende në fazë verifikimi ndërsa me short, është përcaktuar se prokurori që do të hetojë çështjen do të jetë Arenc Çela.

Vetëm pak ditë më parë, gjykata urdhëroi kthimin në burg për tre të akuzuarit për bashkëpunim në vrasje, Dejvi Bitraj, Kridens Alla dhe Marsel Alla.

Kërkesa për kthimin e tyre në burg me akuzën e vrasjes në bashkëpunim, u bë nga prokurori i ri i çështjes Gjergji Tako. Lirimi i tre të dyshuarve ishte bërë nga gjykata më 11 maj, pasi prokurori Artan Lulaj që hetoi dosjen më herët, kishte kualifikuar akuzën në vetëm moskallëzim krimi ndaj tre të rinjve. Sipas prokurorisë, autori i vrasjes së Marvi Mihalit një vit më parë ka qenë shtetasi Dejvi Bitraj ndërsa tre personat që e shoqëronin atë, akuzohen për bashkëpunim në krim.