Porta ku shënoi Gotze në finalen e Botërorit 2014 del në ankand

Dy portat e ndeshjes së fundit finale të Botërorit, e cila përfundoi 1-0 në favor të Gjermanisë ndaj Argjentinës, do të çmontohen ditën e shtunë nga stadiumi mitik “Maracana” dhe do të nisen menjëherë në Gjermani.

Kështu raporton gazeta e mirënjohur braziliane “O Globo”.

90% e fitimeve do të dhurohen për bamirësi, ndërsa 10% do t’i shkojnë stadiumit.

Në finalen e Brazilit, Gjermania arriti të fitonte kupën e katërt në historinë e saj.

Në minutën e 113-të ishte Mario Gotze ai që shënoi golin e vetëm të takimit.

Stadiumi legjendar “Maracana” nuk po kalon një moment të mirë. Ai është përfshirë në një skandal korrupsioni. Kohët e fundit, shumë rrallë zhvillohen ndeshje në stadiumin legjendar.