Çfarë do të bënte Magufuli?

Gjendja në Shqipëri është në pikën e vet më kritike. Jo më për skandalet e korrupsionit e drogës,  jo më për ministrat e ish ministrat me zë e me figurë të kapur gafil në lidhje okulte, jo më për ministra shëndetësie që lënë njerëz të vdesin ndërsa japin miliona dollarë për projekte korruptive kontrolli, jo më për ministra energjie që me lekë e 8 shqiptarëve që varën veten se nuk kishin të paguanin, kanë bërë kërdinë me paratë publike.

Të gjitha këto janë një panoramë anormale, që sot pas 5 vjetësh nën sundimin e Edi Ramës janë kthyer një normalitet të trishtueshëm. Shqipëria sot ka nevojë për një njeri që është e kundërta e gjithçkaje që ne e përtypim si formë demokracie që buron si pushtet prej parave të drogës, prej raporteve klienteliste të kryeminisitrit me 5 oligarkë, prej shthurjes së opozitës që ngre kala rëre përballë dallgëve të propagandës mafioze qeveritare.

Jemi në kurth!

 John Magufuli është presidenti i Tanzanisë që prej vitit 2015. Ai njihet nga njerëzit e vendit të tij me nofkën “Buldozeri”.

Në një profil të publikuar nga BBC gjatë fushatës së tij elektorale, Magufuli përshkruhet si një njeri që vjen nga shtresat e varfëra të Tanzanisë. Një mësues kimie dhe matematike i cili që prej vitit 1995 është zgjedhur deputet, më pas ministër i qeverive e deri në vitin 2015, vit kur mori 56% të votave si president i Tanzanisë vetëm pasi u prezantoi bashkëkombasve të tij një projekt kombëtar anti-korrupsion.

Xhon Magufuli është një personazh tejet popullor në rrjetet sociale afrikane sidomos për faktin se vetëm vitin e kaluar largoi nga administrata 10 mijë punonjës për shkak të korrupsionit. Ditën pas zgjedhjes së tij si president i Tanzanisë në vitin 2015, Xhon Magufuli dha shembullin e parë se premtimi i tij për luftën kundër korrupsioni nuk kishte qenë retorikë elektorale. Me një vendim të parë Magufuli largoi nga postet e tyre disa zyrtarë të lartë, mes tyre edhe kryetarin e institucionit të luftës kundër korrupsionit, kreun e taksave në vend, atë të hekurudhës dhe drejtorin e porteve.

Kur të gjithë besuan se Magufuli do të ndalej, ai bëri një tjetër akt të pamendueshëm, por shumë domethënës në analizën e moralit të veprimit. Magufuli firmosi një dekret që ndalonte festimin e ditës së pavarësisë së Tanzanisë, pasi ashtu siç po shkonin gjërat vendi i tij ishte nisur drejt greminës. Të gjitha “shilingat tanzaniane” që shpenzoheshin çdo vit për këtë ditë ai, ia kaloi sektorit të arsimit dhe luftës kundër kolerës.

Buldozeri nuk e la me kaq…

Në një tjetër vendim të tij Magufuli ka ndaluar udhëtimet jashtë vendit të gjithë zyrtarëve, veçse me një leje të firmosur nga ai vetë për një arsye të thjeshtë. Në vlerësimin e Presidentit, zyrtarët e lartë në vend të udhëtimeve, duhet të fokusohen tek punët dhe problemet e brendshme.

Sa për zyrtarët e lartë që e kanë të detyrueshme udhëtimin, kushdo që guxon të udhëtojë në klasin e parë është i pushuar nga puna. Ide tejet komuniste do të mendonte dikush që po e lexon këtë histori të pabesueshme dhe fantastike që na vjen nga Afrika.

Magufuli është fokusuar tek reduktimi maksimal i shpenzimeve operative ku në një rast buxhetin për harxhimet e inagurimit të parlamentit të ri, nga njëqind mijë dollarë, i uli në vetëm njëzet e tre mijë dollarë, kurse shumën tjetër ia kaloi pajisve të spitalit qendror në vend.

Jo vetëm kaq. Vitin e kaluar Buldozeri urdhëroi ndalimin e eksportit të mineraleve të papërpunuara ndërsa qeveria i kërkoi kompanive më shumë të ardhura për buxhetin e shtetit nga renta minerare.

Konkretisht, administrata e tij i kërkoi kompanisë me bazë në Toronto Barrick Gold të paguante një  vlerë prej 190 miliardë dollarësh taksa, interesa dhe gjoba të papaguara. Pas muajsh negociata kompania pranoi ti paguajë qeverisë 300 milionë dollar si pjesë një marrëveshje të re, duke garantuar 16 % të aksioneve dhe ndarje të barabartë të të ardhurave ekonomike nga operacioniet e saj.

Nëse Magufuli po ndryshon apo jo vendin e tij për mirë apo për keq shkruajnë mediat ndërkombëtare, ky është një tjetër debat. Reformat e “Buldozerit” janë përqendruar në dy kategori që kanë të bëjnë me ekonominë dhe rregullin social. Por qasja ndaj aksionit qeverisës së Magufulit, është e tillë saqë në rrjetet sociale afrikanët shpesh për çështje të ndryshme përdorin si formë mendimi hashtagun “si do të vepronte Magufuli”.

A vlen rasti i Xhon Magufulit për Shqipërinë? Dikush do të thoshte se Edi Rama i ka të gjitha “simptomat” e një timonieri si Buldozeri i Tanzanisë, por krahasimi dështon në rezultat.

Aksionet anti-korrupsion të Edi Ramës në administratë nuk kanë bërë asgjë më shumë sesa largimi i militantëve të LSI-së nga tepsia dhe zëvendësimin e tyre me ato PS-së nën modelin shqiptar të Lenës dhe Prenës. Shqipëria është një nga vendet me një pasuri të madhe nëntokësore.

Sot e gjithë ditën pas 5 vitesh, kromi i pasur shqiptar me dhjetra minerale e metale të çmuara eksportohet pa teklif si dhe i pavlerë nga kompanitë pranë qeverisë, ndërsa me dhjetra minatorë humbin jetën çdo vit nëpër galeri kur për një copë bukë ata rekrutohen në procesin e grabitjes së pasurisë kombëtare. Imagjinoni se çfarë do të bënte Magufuli? Është ironike të mendosh se atëhere kur mendonim se shembullin për tu emancipuar e për bërë përpara e kërkonim në perëndim, në fakt e gjejmë në Afrikë.

A është e mundur që Shqipëria sot të gjenerojë një “Buldozer” politik, kjo më shumë se një pyetje është një nevojë. A është e mundur që Shqipëria bri Europës, të gjejë shpëtimin tek modeli politik i një kimisti afrikan, kjo më shumë se ironike është sot e gjithë ditën frymëzuese.

Derisa të zhvishemi nga kompleksi apo edhe nga paragjykimi i cili vjen prej mendimit që buron edhe prej spektrit të ngjyrave, sa herë të kemi pikëpyetje ekzistenciale në realitetin tonë le ta shtojmë si pjesë e shfryrjes tonë sociale dhe pyetjen: “Çfarë do të bënte Magufuli”…, sepse nga Edi Rama nuk mund të presësh asgjë!