VIDEO/ FRPD dhe LRI protestojnë para Ministrisë së Brendshme: Ja varianti i Narkos në realitetin shqiptar

Forumi Rinor i PD dhe LRI-së kanë nisur një tjetër protestë para Ministrisë së Brendshme, duke kërkuar dorëheqjen e Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit të Brendshëm. Pjesëmarrësit në këtë protestë kanë kërkuar largimin e Edi Ramës nën thirrjet “Rama ik”, ndërsa është shfaqur një video e shkurtër e serialit Narcos e përshtatur në realitetin shqiptar.  “Burg burg burg”, “Qeveria e drogës” dhe “Rama ik” ishin thirrjet e të rinjve dhe qytetarëve që iu bashkuan protestës së pasdites.

“Tani edhe policia e shtetit do të ketë mundësi të shohë se për cilat klane punon sot”, tha kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi, nëse shfaqej video.

Këlliçi tha se ndërkombëtarët na kanë zili me aktorët tanë që kemi në këtë serial, ndërsa shtoi se ne jemi për një Shqipëri për hapjen e negociatave, por pa Edi ramën, Fatmir Xhafajn, Agron Xhafajn, Saimir Tahirin dhe të gjithë kriminelët. Këlliçi tha se protesta e të rinjve dhe qytetarëve do të vazhdojë derisa Fatmir Xhafaj të largohet nga posti i ministrit të Brendshëm.

Ndërsa kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi, tha se sot jemi edhe më shumë të motivuar për ti çuar një mesazh Edi Ramës që të largohet sa më shpejt nga Shqipëria.

“Dua të dënoj shumë fort aktin e sotëm për proçedimet e të rinjve që protestuan. Nuk do të ndalemi në protestat dhe do të kërkojmë të drejtat tona. Ne e duam integrimin europian, që po na e largon Edi Rama me realitetin që ka krijuar”, tha Kërpaçi.