Vokshi në Syri.net: Lirimi i Tahirit dhe mbrojtja e Xhafajt, ditë e zezë për...

Albana Vokshi, deputete e PD-së, e ka cilësuar të ligjshme protestën që kërkonte largimin e Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit të Brendshëm, për shkak të përfshirjes së vëllait të tij në trafikun e drogës.

Vokshi tha se opozita ka kryer më të miri detyrën e saj duke denoncuar faktet dhe provat ndaj të inkriminuarve dhe trafikantëve që ishin në Parlament apo në institucionet e vendit.

“Ju e mbani mend sesi Rama mbronte trafikantët dhe të akuzuarit për vepra të rënda penale. Kush i solli kriminelët në Parlament? Ne kemi denoncuar si opozitë trafikimin dhe kultivimin e drogës, kthimin e Shqipërisë në rrugën e kalimit të drogërave të rënda”, tha Vokshi.

Sipas saj, një pjesë e parave të drogës janë përdorur për blerjen e zgjedhjeve dhe pushtetit, ndërsa pjesa tjetër po pastrohen.

“Tahiri u lirua dhe mbrojtja që i bëhet Fatmir Xhafajt është një ditë e zezë për Shqipërinë dhe drejtësinë shqiptare. Tashmë e dinë të gjithë pse Edi Rama mbron ministrin dhe ish-ministrin.  Opozita ka ngritur jo njëherë por disa herë përfshirjen e familjarëve të Ramës në trafikun e drogës”, tha Vokshi. Sipas saj, mospërgjigjia e Ramës ndaj pyetjes sepse vendosen ministra të Brendshëm njerëz që kanë probleme me trafikun e drogës, apo familjarë të tyre janë të lidhur, është përgjigjia më e mirë sepse sot hapja e negociatave është e pamundur, pasi askush nuk të hap dyert nëse ke probleme me krimin dhe drogën, që dhunon qytetarët dhe kap institucionet e shtetit.