Vetingu/ Llalla nesër te Kolegji i Posaçëm i Apelimit

Kolegji i Poasçëm i Apelimit do të zhvillojë të enjten seancën e dytë në gjyqësore të ankimit të Komisionerit Publik kundër ndërprerjes së Vetingut për ish-prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Bëhet fjalë për kundërshtimin e vendimit të datës 16 shkurt 2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar të Llallës, për shkak se ai dha dorëheqje nga funksioni i prokurorit.

Në seancën e kaluar, të zhvilluar në 16 Maj, trupi gjykues i KPA shtyu seancën pasi vlerësoi se prokura e paraqitur nga avokati i Llallës, Sokol Hazizaj kishte mangësi. Sipas KPA, LLalla nuk shprehet qartësisht vullnetin se Hazizaj mund të përfaqësonte në këtë proces. Njëkohësisht, KPA vendosi rinjoftimin e Llallës për datën e seancës dhe procesin që po zhvillohet ndaj tij.

Mënyra e nënshkrimit të prokurës, apo kontaktet që ka pasur avokati me klientin e tij Llalla pritet të mësohen gjatë seancës të së enjtes.

Përveç ankesës së Komisionerit Publik në lidhje me Vettingun, ish-kryeprokurori Llalla po hetohet nga Prokuroria për Krimet e Rënda për kryerjen e katër veprave penale.