Jehona e miqësores në Zvicër: Shqiptarët luajtën kundër shqiptarëve, në tokën e shqiptarëve

Ndeshja miqësore mes Shqipërisë dhe Kosovës, e luajtur në Zvicër, ka bërë jehonë të madhe edhe në mediat helvete.

“Gazeta NZZ”, në një reportazh të gjatë nga sfida e Letzingrundit në Zyrih, shkruan se shqiptarët ishin kundër shqiptarëve, në tokën e shqiptarëve, ku përshkruhet festa e madhe kuqezi në takimin e mbrëmshëm.

Edhe tifozët, pavarësisht se mbanin veshur fanella të ndryshme, atë kuqezi apo edhe atë blu me të verdhë, shpreheshin se të gjithë ishin shqiptarë.

Atmosfera ishte speciale për 18.700 spektatorët, dhe një moment i veçantë ndodhi në orën 20:00, pak para se të niste ndeshja, ku të dy skuadrat kënduan me dorën në zemër himnin e Shqipërisë.