Zëri Amerikës: ‘Dëshmitari X’ kërkon azil politik në Kosovë, nisin procedurat

Autoritetet e Kosovës kanë nisur procedurat për azil për Albert Veliun, nga Shqipëria, i njohur ndryshe dhe si ‘Dëshmitari X’, njeriu i cili deklaroi se ka biseduar me vëllanë e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, për të siguruar prej tij kalimin në Itali të një sasie kanabisi.

Veliu së bashku më të birin u ndalua pak ditë më parë nga autoritetet policore në Kosovë, nën dyshimet se ai kishte hyrë ilegalisht në territorin e saj.

Burime nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, i thanë Zërit të Amerikës se Veliu ka kërkuar azil me motivin se në Shqipëri atij i kërcënohet jeta.

Të njëjtat burime shpjeguan se “do të konsultohen edhe me autoritetet e Shqipërisë” para çdo vendimi ndërsa theksuan se “do të respektohen të gjitha procedurat për azil”

Veliu pranoi publikisht se zëri në audio përgjimin e bërë publik nga Partia Demokratike, ishte i tij.

Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, ka hedhur poshtë kategorikisht mundësinë që të ketë zhvilluar ndonjë bisedë me Veliun.

Prokuroria ka bërë ndërkaq të ditur se materiali audio është dërguar për ekspertizë në një laborator jashtë Shqipërisë.

Opozita po kërkon prej shumë ditësh largimin e ministrit të Brendshëm, të cilin e akuzon se i ka dhënë mbrojtje të vëllait.

Kjo çështje u bë shkak dhe i protestës që ajo zhvilloi të shtunën në Tiranë, ku u regjistruan momente të forta tensioni mes manifestuesve dhe policisë pranë ministrisë së Brendshme.

Opozita ka deklaruar se për të ‘dorëheqja e ministrit të Brendshëm, është një çështje e panegociueshme’.