Italia po shkakton stres tek bankat europiane

Investitorët po spekulojnë se çfarë mund të bëjë  Banka Qendrore Europiane për të zgjidhur problemin e Italisë, ndërkohë që rritja e interesave të borxhit në vend po shkakton stres te bankat dhe ka ngritur dyshimet për një shpërbërje të euros.

Pasojat do të ishin katastrofike nëse përsëritja e zgjedhjeve në ekonominë e tretë më të madhe të Eurozonës, që u lajmërua nga partitë populiste se mund të ndodhë në Korrik, kthehet në një referendum mbi anëtarësimin e Italisë në Eurozonë.

Ekonomia e Italisë është 10 herë më e madhe se e Greqisë, që kërkoi 250 miliardë euro para nga Eurozona dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar për t’u shpëtuar. Nëse Italia kërkon mbështetje të ngjashme me Greqinë, shifrat do të ishin marramendëse.

Kapaciteti total i Fondit Monetar Ndërkombëtar do të mundësonte rreth 500 miliardë euro, ndërsa Mekanizmi Europian i Stabilitetit rreth 400 miliardë euro. Megjithatë, edhe kjo shifër nuk do të mbulonte plotësisht nevojat e Italisë, shkruan scan.tv.

Për rrjedhojë, tregu i borxhit në Itali pësoi rënien më të madhe në 26 vite ditën e Martë dhe investitorët po i hedhin sytë te Banka Qendrore Europiane. Sipas analistëve, nëse trazirat në tregje vazhdojnë edhe për disa ditë, do të ketë përgjigje nga institucioni në Frankfurt.

Rritja e yieldit mund të vështirësojë mekanizmin e transmetimit të parasë nga Banka e Italisë dhe kjo mund t’i hap rrugën BQE që të ndërhyjë me motive të politikave monetare.

Institucioni blen ende borxh të Italisë  nën programin e lehtësimit sasior prej 30 miliardë euro në muaj,  megjithatë, kjo nuk duket se ka limituar dëmin. Italisë i duhet të rifinancojë rreth 200 miliardë euro në vit dhe programi i BQE pritet të përfundojë në Dhjetor.

Mjeti i Transaksioneve Direkte Monetare (OMT) i institucionit, është i palimituar dhe mund të shënjestrohet në mënyrë direkte për Italinë, por mund të përballet me kundërshti politike, ndërkohë që  dy partitë populiste kanë treguar pakënaqësi ndaj euros.