Duka: Shteti në rënie të lirë, ministrat në turizëm a dëgjesa të papara në botë, Tirana i ka mbetur opozitës

Deputetja e PD-së Valentina Duka ka ngritur tonet sot në Komisionin e Medias për dy tema me rëndësi: Marrjen e përgjegjësive nga kryeministri për dhunën që u ushtrua mbi gazetarin Blendi Kasmi dhe së dyti, me rënien e shtetit prej së ashtuquajturave "Dëgjesa me popullin" që kanë sjellë braktisjen e qeverisë, largimin e ministrave dhe kryeministrit nga Tirana. 

"Si anëtare e Komisionit të Arsimit dhe Medias, - tha Duka, - por edhe me një përgjegjësi shumë të madhe prej pedagogeje të Universitetit, sepse Blendi Kasmin e kam pasur student, student shumë të mirë të gazetarisë, dëshiroj të dënoj dhunën e ushtruar nga Policia jo se po tundte hekurat e Ministrisë së Brendshme, por se po kryente detyrën e tij si gazetar i një gazete shumë të rëndësishme politike me një emër jashtë mase të rëndësishëm të tribunës demokratike.

Z. Fidel, Rilindja Demokratike ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm qëkur doli në janar 1991, jo vetëm për rrëzimin e komunizmit ; është lexuar si Bibël në familjet e shqiptarëve.

Blendi Kasmi që kur ka përfunduar studimet ka qënë gazetar i Rilindja Demokratike dhe ka 13 vjet që nuk ka qënë gazetar i zakonshëm, por është kryeredaktor i Rilindjes Demokratike. Të parët që reaguan nuk qenë as Kryeministri, as anëtarët e këtij komisioni, qenë Reporterët pa Kufi, që me anë të një statusi në Twitter-in e tyre i kërkuan kryeministrit të dënonte dhunën dhe të merrte përgjegjësitë e veta, ai me organet ligjvënëse në Shqipëri, për të dënuar dhunën dhe marrë përgjegjësitë. Kush e ka ushtruar dhunën? E ka ushtruar Policia apo siç e dhanë mediat tuaja që tregonin se dikush nga protestuesit ushtroi dhunë?! Jo, atë e ka goditur Policia, qe gazetar në krye të detyrës.

Por, shteti është në rënië të lirë. Ministrat tuaj nuk janë në qeverisje. Ministrat tuaj nuk janë në Tiranë. Vendi drejtohet nga kryeqyteti - ministrat janë ose për turizëm, ose për vizita gjysëm turistike dhe gjysëm zyrtare e kur janë në Tiranë, shkojnë nëpër rrethe duke organizuar disa tubime tipike “Made in Albania” që i quani dëgjesa me qytetarët!

Kam hapur këto kohë manuale të tëra të sistemeve të qeverisjes, kam naviguar në internet sesi qeverisin në Kosovë, si qeveriset në vendet ballkanike, në Europë...

Nuk ka asnjë vend të botës që pozita të dalë të organizojë tubime me qytetarët, karakteristika këto të fushatave elektorale, karakteristika të opozitës, jo të pozitës. Dëgjoni njerëz fakirë atje, gjysma e tubimeve të mbushur me njerëz nga administrata, caktoni ndonjë njeri që të bëjë ndonjë pyetje dhe mendoni se ia zgjidhni të gjitha ato halle njerëzve atje, krimin, drogën, papunësinë, nga ato tribuna vërtet të papara ndonjëherë.

Nuk e di nëse ministrave dhe Kryeministrit i mbetet ndonjë orë kohë  të paktën të firmosë shkresat zyratre që i duhet një zyrtari të firmosë, sepse nuk ndodheni në zyrë. Duket që Tirana është në dorë të opozitës. Opozita bën lajm në komisione, opozita bën lajm në parlament, opozita bën lajm në rrugë."