VIDEO/ Lulzim Resuli në SYRI.net: Ja problemet që kanë jetimët shqiptarë...

Lulzim Resuli, President i Shoqatës Kombëtare të Jetimëve të Shqipërisë, tha në studion e Syri.net se duhen bashkuar të gjithë forcat porsa i takon jetimëve, pasi një fjalë e bashkuar ka shumë më tepër peshë në veshët e politikanëve dhe qeveritarëve shqiptarë. Ai vlerësoi nismën e deputetes Oriola Pampuri për ndryshimin e statusit të jetimëve.

Resuli tha se në të paktën 20 vitet e fundit është bërë shumë pak për jetimët. Sipas tij, pika bazë është arsimimi, ku jetimët nuk përfshihen te përparësitë për rimbursimet e teksteve shkollore.

Resuli tha se janë rreth 30 mijë fëmijë që janë jetimë që nuk kanë statusin, ndërsa shtoi se edhe për ata që përfitojnë, kemi një status jo funksional.

“Duhet ndryshuar statusi i jetimit, duhet të kemi një status funksional, pasi sot kemi një diskriminim për 30 mijë jetimë.

Kushtet në të cilat jetojnë jetimët shqiptarë kanë probleme madhore dhe të mprehta.

Të shpenzosh 480 dollarë në muaj për një fëmijë në rezidencat shtetërore dhe pastaj të identifikohen raste kur mbi fëmijët ka dhunë fizike, psikologjike apo akoma më kq abuzime, ky është skandal i madh”, tha Resuli.

Sipas tij, jetimët pasi mbushin moshën 18 vjeç, shteti i hedh në rrugë të madhe, nuk i siguron dhe as i garanton asgjë.

“Ne kemi kërkuar që fëmijët jetimë që janë në rezidenca të shkollohen dhe t’i garantohet punë. Ka jetimë me status që sot janë 40 apo 50 vjeç që sot janë të pastrehë dhe nuk ka asnjë zgjidhje”, tha Resuli.