Vasili: Një i vetëm do të mjaftonte të jepnin dorëheqjen në Ministrinë e Brendshme

Kreu i Grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, ka ngritur gishtin e akuzës mbi Ministrinë e Brendshme dhe Policinë për dhunën vdekjeprurëse që ushtrohet në dhomat e paraburgimit si dhe për mungesën e moralit dhe ndërgjegjes së drejtuesve të tyre. 

"Policia dhunon e vret të pambrojturit dhe Ministria e Brendshme rri e vështron, - shkruan Vasili në Fb. - Enea Ftoi dhe Ardian Kallmi humbin jetën brenda pak ditësh, pasi Policia i dhunoi, u bëri presion dhe u tregoi forcën e saj të shfrenuar.

Policia tregon histerinë e forcës me qytetarë të thjeshtë e të pambrojtur, por u mban ison trafikantëve, kriminelëve dhe u hap dyert që të ikin, drejtorëve të Policisë, të akuzuar si drejtues të trafikut të drogës. 

Do të dalë Ministria e Brendshme dhe do na mbushë mendjen që fajtorë janë vetë ata që humbën jetën. Edhe një jetë e vetme e humbur do të mjaftonte si një akuzë tronditëse për të gjithë këta, që drejtojnë Ministrinë e Brendshme dhe Policinë, që të jepnin dorëheqjet nga i pari deri tek ata që ekzekutuan dhunën. Por kjo kërkon moral dhe ndërgjegje e këta s'kanë as të parën, as të dytën."