De Vrij flet për herë të parë si lojtar i Interit: Më bindi projekti

E përfundoi sezonin në lot, pas humbjes së Lazios në javën e fundit ndaj Interit, por Stefan De Vrij duket se është gati t’u bashkohet zikaltërve dhe për herë të parë ka pranuar se ka një kontratë me ta.

“Kam nënshkruar një kontratë 5-vjeçare me Interin dhe mezi po pres të filloj këtë eksperiencë të re. Kam pasur shumë oferta, por projekti i zikaltërve ishte ai që më emocionoi dhe bindi më shumë. Tani jam gati të shpërblej besimin e tyre në fushën e lojës”, u shpreh De Vrij.

Mbrojtësi holandez foli edhe për takimin e fundit mes Lazios dhe Interit, ku ai ishte shkaktar i një penalltie, ndërsa gjatë javës së ndeshjes ishte bërë objekt diskutimi, nëse duhej të luante apo jo.

“Para ndeshjes i thashë drejtuesve të klubit që të mos luaja, pasi nuk kisha ndjesi të mira. Ishte një takim i ngarkuar për mua dhe kisha shqetësimin se nuk do t’ia dilja të bëja më të mirën. Gjithsesi ata këmbëngulën dhe u përqendrova maksimalisht për të bërë më të mirën”, deklaroi mbrojtësi holandez.