Rasti i Blendi Kasmit, Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë ndryshon pronar...

Në Shqipëri ka edhe Union Gazetaresh, ose më saktë një biçim organizate që ka në krye vëllain e një prej drejtuesve të përfolur për korrupsion apo dhe të lidhur me krimin në radhët e policisë Ardian Çipa, e që në qarqet gazetareske njihet me konvencionin Aleksandër Çipa.

E bëjmë këtë prezantim për të kuptuar se kush medemek duhet të flasë e të ngrejë zërin për të drejtat e gazetarëve si fjala vjen, kur ata marrin 10 të qepura në kokë nga shkopat e gomës së policisë.

Bledi Kasmi është gazetari i radhës që për hir të punës raportuese bie pre e dhunës së papërmbajtur dhe të pa kriter te policisë. Ishte e turpshme dje të shikoje sesi media online vetëm pse janë shërbëtore të pushtetit prodhuan pamje që fajësonin një koleg vetëm e vetëm që ishte pjesëmarrës përballë dhunës së policisë.

Por edhe sikur Blendi Kasmi të ishte dje një protestues i thjeshtë dhe të çahej nga shkopi i gomës, shija e keqeje do të ishte e njëjtë. Fakti që i dhunuari është gazetar, solidariteti duhet të ishte dyfish më i madh. Por të pretendosh një fjalë nga vëllai i ish nëndrejtorit të policisë së erës-Habilaj, që drejton Unionin e Gazetarëve, duket se qenka akoma më e vështirë.

Sot organizata ndërkombëtare Reporterë pa Kufij e ka dënuar ashpër gjakosjen e gazetarit Blendi Kasmi. Me shumë gjasë dhe urojmë që të jetë kështu, raporti i vitit të ardhshëm do ta identifikojë Shqipërinë njësoj me vendet afrikane ku media, imtimidohet, blihet, shitet, rrihet, gjakoset dhe kur e zgjat shumë i pritet dhe gjuha.

Një gazetar shqiptar nuk do të varte as brekët e jo më shpresat tek reagimi a makar mbrojtja e Aleksandër Çipës bashke me atë palo-Union që drejton. Të gjithë e dinë që Unioni i Gazetarëve të Çipës është sindikata de-fakto e interesave të pushtetit sa herë ky i fundit është në borxh me median dhe kjo ndodh shpesh ne pesë vitet e fundit. Dje Unioni i Gazetarëve Çipës ishte sindikata e Habilajve, që prej shtatorit të kaluar thjeshtë kanë ndryshuar pronarë dhe tani punojnë për Geron Xhafajn..., si Babalja dikur!