Rey Manaj: E kujtoj shpesh golin e parë kundër Kosovës

Sulmuesi i Kombëtares, Rey Manaj, doli sot në konferencë për shtyp ku foli për ndeshjen e ditës së martë ndaj Kosovës.

Djaloshi nga Lushnja tregoi edhe për eksperiencën te skuadra spanjolle e Granadës si dhe për arsyen pse nuk është thirrur në Kombëtare.

“Si kundër Kosovës ashtu edhe Ukrainës ne do duam fitoren dhe të gjithë do japin më të mirën. Fillimi i ri është nga shtatori që do të përgatitemi për kualifikueset e Europianit. Granada ishte zgjedhja e duhur për mua pasi është një ekip i fortë pavarësisht se nuk na ka ecur mirë në periudhën e fundit, por ne do tentojmë në këto ndeshje të ngjitemi në La Liga.

Për të ardhmen do flas në fund të sezonit pasi tashmë jam i përqendruar te Kombëtarja. Nuk besoj se në Spanjë është niveli më i lartë se në Itali, por ky vit ndoshta nuk ishte më i miri për mua. Duhet të shohim momentin dhe të harrojmë gjërat që kanë ndodhur para 3 vjetëve.

E kujtoj shpesh golin e parë kundër Kosovës, por tani është një moment tjetër. Kur nuk je pjesë e Kombëtares ka disa faktorë. Unë besoj se nuk jam thirrur në Kombëtare nga zgjedhjet e të tjerëve. Unë me kombëtaren gjithmonë do jap më të mirë ashtu siç kam bërë për shpresat apo edhe U-19 dhe U-17. Tani trajneri mund të bëjë zgjedhjen e tij. Nuk duhet të flas para sepse kur flet para kohe gjërat mund të shkojnë ters”, u shpreh Manaj.