Poeti që pranon të kryqëzohet… - Nga Pano Hallko

Ngjarja më e madhe e jetës kulturore artistike më datën 9 maj, ishte padyshim përurimi i librit me poezi të poetit tonë të mirënjohur, Agim Doçi. Ishte përjetimi i një feste të veçantë, sepse i veçantë ishte personaliteti, i cili ftoi me qindra miq dhe kolegë të tij, më së shumti miq të letërsisë dhe të artit, miq të poezisë.

Bota e letrave shqipe dhe bota intelektuale e vendit, arti ynë më 9 maj festoi.

Ishte më së pari, festa e poezisë shqipe;-asaj i lindi edhe një djalë më shumë, një libër i ri me poezi, ndër më të arrirët e saj.

Poeti Agim Doçi, e hap sallonin e librit, duke “gjuajtur me artileri”, me poezinë me titull:-”Riti i kryqëzimit”. Katër vargje, që shpalosin një botë të tërë; botën e poetëve të mëdhenj:.. “Nëse i bëhet paqe, gjithë botës/Dhe lumturi të gjithë njerëzimit/I gjeni dërrasat dhe gozhdët/Unë pranoj ritin e kryqëzimit!”…

Hovet djaloshare të poetit

Ishte, gjithashtu, e veçantë kjo datëlindje, sepse ai që festonte, u bëri dhurata të ftuarve të shumtë, e nuk llogariti të marrë dhurata nga ata. Dhe çfarë dhurate u bëri, se! Librin me titull “Rituali i kryqëzimit”. Një tufë të madhe me 80 trëndafila, 80 poezi, të cilat mbartin hovet e Agim Doçit, tanimë 70-vjeçar!

Hove, që kurrë nuk kanë ndërmend “të zbuten”, apo të ngadalësojnë “trokthin” e tyre.

Kështu u festua edhe datëlindja e 60-të e tij, para 10 vitesh. Me tufën e poezive, që ai na dhuroi atëherë.

Kështu, e me këto hove, do të festohet edhe datëlindja e 80-të e poetit.

Sepse shpirti dhe dora e tij, vazhdojnë të shkruajnë, rregullisht.

Vjen ky libër me poezi, në një kohë të vështirë për poezinë në vendin tonë, e më gjerë.

E vërteta është që poezia historikisht, ka qenë luks për ata që e kanë ndier dhe përjetuar; një luks që nuk mund ta shijonin të gjithë. Por në realitetin shqiptar, jetojmë paradoksin në fushën e letërsisë.

Ishim një popull mik i librit, e në tranzicionin e stërzgjatur enkas, djallëzisht nga politikanët shqiptarë, u katandisëm populli armik i librit.

Shqipëria, por edhe bota, sot përjeton rrallimin dhe pakësimin e poetëve të mëdhenj.

Po ashtu, te ne, mungon kritika, ky faktor kryesor jetik në përmirësimin dhe përhapjen e poezisë dhe të letërsisë në përgjithësi.

Dhe ana tjetër, që është pasojë e gjithë sa thamë më sipër, është sepse për poetët e mëdhenj, jo gjithnjë shkruajnë njerëzit e letrave dhe njohësit e mirë të poezisë.

Në gjitha këto kuptime, kjo buqetë me poezi të pikuara, dhe pjesëmarrja e madhe e njerëzve të kulturës dhe të artit, por edhe e shumë njerëzve të thjeshtë, vjen si një rreze shprese, se për poezinë nuk ka vdekje, se miqtë e saj, nuk u zhdukën me gjithsej.

Agim Doçi hyri në poezinë shqipe me forcë; duke shqyer kornizat administrative të kohës.

Askund në botë nuk ka shkollë për poezinë dhe poetët. Mbi 90% e poetëve të vendit tonë, por edhe të botës, poezisë nuk i kanë ardhur nga shkolla e Gjuhë-Letërsisë.

Ashtu siç mbi 90% e gazetarëve, kurrë nuk ndoqën, e as mbaruan mirëfilli apo si shkollë të parë gazetarinë. Ndodh kështu, sepse ligji i krijimit është i veçantë.

Është një kimi e veçantë, që ose e ka, ose nuk e ka njeriu. Poeti ynë i madh, 70- vjetorin e të cilit festuam më 9 maj, i kreu të gjitha fazat e arsimimit të tij, shkëlqyeshëm.

Madje, edhe Inxhinierinë Elektrike të asaj kohe, e kreu me Medalje Ari. Ai ka marrë shumë medalje e vlerësime në jetë, madje është dekoruar “Mjeshtër i Madh”. Por Kurorën e pavdekësisë, ia dha poezia.

Tre brezave shqiptarë, iu ushton në veshë, prezantimi i konferencierëve të Festivaleve të Këngës në Radiotelevizion, ndër vite:-Teksti, Agim Doçi! Shumë brezave shqiptarë, u kanë mbetur e do t‘iu mbeten në buzë, tekstet e Agim Doçit, muzikuar nga kompozitorët tanë të mëdhenj. Sepse muzika, mbetet në veshët e atyre që e lëvrojnë muzikën.

Kurse fjala, mbetet në buzët e njerëzve, të të gjithë njerëzve, pa përjashtim. Si atëherë kur ajo u flet njerëzve për gëzime, ashtu edhe kur fjala merret me hallet dhe me dhimbjen njerëzore.

Sepse… e para, ishte fjala! Kombi, të tillë poetë, i nxjerr një herë në kaq, në bazë të kushedi se çfarë Kodi, të pazbërthyeshëm dot.

Edhe pse ka 50 vjet që lëvron si pak të tjerë poezinë, ai me modesti qysh në faqet e para kërkon prej të gjithëve, gjënë më minimale në botë: “Më bëni pak vend”.

“Më bëni pak vend”, i drejtohet lexuesve, sepse kërkon vendin në zemrat dhe shpirtin e tyre. Vendin të cilin e ka siguruar, e që kërkon ta ruajë me fanatizëm.

Megjithatë, ai zbaton kodin e stërlashtë të ilirëve, të cilët më parë se sa të prisnin një pemë të madhe, e godisnin me fundin e sëpatës, diku mbi rrënjë; “Për t’u larguar xhindet”-thoshin ata. Ashtu edhe Agim Doçi, aty në nisje të vëllimit të tij poetik, troket me bishtin e penës e me thelbin e zemrës, duke kërkuar “pak vend”. “Më bëni pak vend mua, poetit të krisur/ Unë jam mirë, kur gjendem pranë jush!-thotë ai.

Por “pak vend”, ai e ka edhe mes më të mëdhenjve poetë tanët. Dhe ja se si shprehet ai: …”Po e vuajnë Rilindësit, në varre ku janë/ Po e vuan Dritëroi, Xhevairi, Moikomi e të tjerë/ Dashurinë për Atdhenë, këto halle s`na e vranë/Ndoshta ne dhe shteti, jemi:- Nuse dhe Vjerrë”!…

E vërteta është që Agim Doçi gjithnjë i është drejtuar shtetit të tij, në mënyrën e tij, e jo vetëm poetikisht.

Nëpunësi që kërkon shtet…

Për 12 vite rresht, ai punoi në Ministrinë e Mbrojtjes, në Drejtorinë e Shtypit dhe të Informacionit. Aty ai shpalosi edhe anën tjetër të tij; atë të nëpunësit dinjitoz të shtetit. Aty ai investoi gjithë personalitetin e tij të fuqishëm, në shërbim të promovimit të anës pozitive dhe të rolit të Forcave të Armatosura.

Ushtarakët e donin dhe e respektonin pa fund Agim Doçin, sepse ai i donte të gjithë ata. Madje, edhe kur jo rrallë, atyre u bëhej padrejtësi nga ‘lehës’ mediokër partiakë të të gjitha ngjyrave, Agimi ishte pika e referimit të tyre.

Trokisnin tek Agimi. Edhe sepse e njihnin gatishmërinë e tij, por edhe sepse e dinin që në zyrën e tij nuk tenderoheshin vende pune dhe grada. Dhe Agimi, me mënyrën e vet, e “pa takt” fare, e gjente mundësinë të shprehej hapur, faqe të gjithëve, për padrejtësinë e bërë.

U zgjidhte hallin, e i qeraste kafe, në klubin e ministrisë që patëm.

Ashtu siç ishte i detyruar të mbronte ata pak nëpunës civilë dinjitozë, që kishin mbetur nga llava e lukunive partiake, “të majta”, e “të djathta”. Të gjithë, tek Agim Doçi, e për të gjithë Agimi ishte i pa përtuar.

Ministrat e radhës, në mediokritetin e tyre, ndiheshin ngushtë para erudicionit të poetit. Qysh kur doli në pension Agimi, atyre njerëzve u iku mburoja. Po kush tha se ka dalë në pension? Pensioni është një akt i thjeshtë administrativ. A ka shtet në botë, të nxjerrë në pension Agim Doçin? E realizonte këtë Agimi, sepse shpirti i tij ishte rebel ndër vite, qysh në sistemin e kaluar, kurrë nuk ishte bërë peng, i askujt.

Këtu, tek-të mos qenit peng i askujt, qëndron sekreti i suksesit të tij, në të gjitha fushat, doemos edhe në poezi.

Ky libër poetik që ka në dorë lexuesi sot, në datëlindjen e 70-të të poetit, nderon çdo bibliotekë dhe shtëpi, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, kudo ku ka shqiptarë. Libri e bën menjëherë vendin e vet, në çdo familje shqiptare. Sepse në libër, shkruhet për familjen e madhe të poetëve. U këndon të gjithë rilindësve, atyre që ikën tani afër, por edhe të gjallëve tanë të mëdhenj; Moikomit, Xhevahirit e të tjerëve. I këndon kombit, jo rrallë-buzëplasur.

I këndon Kosovës, që është plaga dhe melhemi i shpirtit të tij. Por aty ai shkruan edhe për familjen emërmirë të tij. Krenohet me atin, e shkruan për nënën e tij-kapedane-siç u mbiquajt ajo, në vitet kur luftonte me armë në dorë kundër nazifashistëve dhe veglave të tyre.

Flitet, shkruhet dhe i këndohet në vargje vajzës, Argitës, krijesës së shenjtë të Agimit, me të cilën ai krenohet veçanërisht.

Flitet për familjen, për bashkëshorten, të mrekullueshmen Yllka, e cila gjendet në libër, si në poezitë që mirëfilli i dedikohen asaj, ashtu edhe nëpër rreshta në poezitë e tjera. Dhe i takon asaj, pasi siç dihet e njihet tanimë në rrang vendi e kombi, është një luks i vështirë, të jetosh e të funksionosh në jetë me Agimin. Për ata që i njohin mirë të dy, është e qartë se në atë çift, janë bërë bashkë dy elementë: Realizmi femëror i jetës dhe idealizmi i kulluar i poetit. E që për fat, kanë ndërtuar e mbajnë në këmbë një peshore të pagabueshme; peshoren e jetës.

Agimi ka në themel të shpirtit Kodin e vet:… “Nëse do të lindja 12 herë/Si vemje kurrë s`do hiqem zvarrë/ Dhe nëse do vdisja pa u lerë/Prapë jam krenar, që jam shqiptar”!

Agimi ynë, është tmerrësisht i vërtetë, në një botë tmerrësisht të gënjeshtërt. Ndoshta kjo është arsyeja pse ai vuan kaq shumë. Por kjo është edhe arsyeja, që ai është kaq i ri!…

Mos u mërzit, Poeti ynë. Kjo botë nuk është e talenteve, ca më pak e gjenive. Kjo është bota e pizevengëve. Ju keni dhembjet, ata kanë qejfet.

Megjithatë, historia mban shënime, të sakta, e jo ato që shkruajnë historianët partiakë…

Jetëgjatë, e të buroftë pena, poeti ynë!

Botuar në Gazeta Shqiptare