Grabitja e prokurorisë/ Arrest me burg për 3 të arrestuarit, zbardhen dëshmitë në gjykatë

Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë me burg për 3 të arrestuarit për grabitjen e Prokurorisë së Durrësit.

Në seancën e zhvilluar sot, gjykata vendosi që Artur Isa, Besnik Bushi dhe Niaz Lena të qëndrojnë në burg.

Prokuroria paraqiti në gjykatë prova shkencore për të bazuar kërkesën e saj për arrestimin e 3 personave. Sipas organit të akuzës, përmes provave provohet se grabitja është kryer nga 3 të arrestuarit.

Prokuroria thotë se autoret kanë lënë gjurmë daktiloskopike në ambjentet e brendshme të institucionit gjatë vjedhjes.

Gjurmët e gishtërinjve janë gjetur edhe mbi serverin qendror dhe atë të kamerave të sigurisë.

Ndërkohë, dy prej të arrestuarve kanë mohuar autorësinë e vjedhjes.

Dëshmitë

Artur Isa: Nuk kam qenë kurrë në ambientet e brendshme të prokurorise. Mbrëmjen që ka ndodhur ngjarja isha në shtepi me nënën dhe familjen time, ditën e nesërme shkova në pune. Jo vetëm për rastin në fjalë, por në asnjë rast të vetëm nuk kam shkelur brenda në prokurori. Nuk di të shpjegoj se si ka përfunduar prova shkencore në zyrën e prokurorit Afrim Shehu. Nuk di të them se si kanë përfunduar shenjat e gishtave të nën tavolinën e prokurorit dhe mbi kapakun plastik të serverit.

Besnik Bushi: Natën e ngjarjes kam qenë duke shkuar me nipin dhe një shokun e tij në det. Kam ardhur vetëm dy here në ambientet e brendshme të Prokurorise, shtate vite më parë kur punoja si elektricist dhe bëmë ca punime brenda prokurorisë dhe dy vite më parë kur u paraqita pranë oficerit të policisë gjyqësore për një vjedhje për të cilën akuzohesha.