Ekspertët: ISIS-i mbetet ende i rrezikshëm

Që prej bazës që arrin të mbajë në shkretëtirën siriane, nëpërmjet filialeve të tij në shumë vende, ku frymëzon përkrahësit që të kalojnë në veprime të izoluara, grupi i Shtetit Islamik (ISIS) mbetet një kërcënim që nuk duhet nënvleftësuar, theksojnë ekspertët.

Ripushtimi në vitin 2017, nga një koalicion prej 71 vendesh, i pjesës më të madhe të territoreve që ata kishin pushtuar në Irak dhe Siri bën të mendohet se rreziku është larguar dhe se grupi xhihadist është çrrënjosur nga sipërfaqa e planetit.

“Por, siç e tregoi shembulli i Al Kaedës, grupet terroriste janë jashtëzakonisht fleksibël dhe të përshtatshëm, ndonëse mund të përballen me periudha rënieje. Është e rrezikshme për Perëndimin që t’i nënvlerësojë”, paralajmëroi Antonia Ward, e grupit amerikan të reflektimit, “Rand Corp”.

Muajin e kaluar, zëdhënësja e Pentagonit, Dana White, deklaroi se “kemi thënë gjithnjë se misioni jonë në Siri ishte të mundnim ISIS-in. Gati e kemi arritur, por ende ska mbaruar”.

Që prej oazeve dhe bazave që kontrollojnë në verilindje të Sirisë, një shkretëtirë pranë Irakut, xhihadistët e ISIS-it provuan të martën se ishin të aftë të zhvillonin ofensiva të koordinuara, ku të paktën 26 forca qeveritare siriane u vranë në një prej sulmeve të tyre.

“Në këtë rajon ndodhet edhe Badija siriane, që luftëtarët e ISIS-it u strehuan kohët e fundit, pasi vinin nga periferia e Damaskut, me miratimin e regjimit të Asadit”, thekson Jean Pierre Filiu, profesor në universitetin “Sciences-Po” në Paris.

Sipas tij, “rënia e pseudokalifatit të ISIS-it, nën bombardimet e koalicionit të drejtuar nga SHBA-ja, nuk ka zgjidhur asnjë prej problemeve që i mundësuan Abou Bakr al Baghdadit të merrte Rakan në vitin 2013 dhe Mosulin në vitin 2014”.