VIDEO/ Banda më e rrezikshme në SHBA, Trump është betuar se ...

Presidenti amerikan, Donald Trump, është zotuar të bëjë ndryshime “radikale” ndaj praktikave për ndihmat duke pezulluar ato qeveritare ndaj vendeve që lejojnë futjen e individëve me të kaluar kriminale në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Trump foli gjatë një takimi në Nju Jork, një shtet që po lufton bandat kriminale. Zyrtarët e Nju Jorkut e njohën presidentin me përparimet e bëra në shpërbërjen e bandës së dhunshme “Mara Salvatrucha” që njihet edhe si “MS-13”.

Grupi “MS-13” filloi në vitet 80-të në Los Angeles nga emigrantët nga El Salvadori. Banda është zgjeruar me përfshirjen e hondurasve, guatemalasve, meksikanëve dhe shtetasve nga vende të tjera të Amerikës Qendrore dhe Jugore. Motoja e bandës është “vrit, përdhuno dhe kontrollo”.

“I kam quajtur kafshë dhe më qortuan. Ata thanë se janë njerëz. Ata nuk janë njerëz, janë kafshë”, tha Presidenti Trump.

Presidenti e ka bërë ndër prioritetet kryesore eliminimin e bandës “MS-13”. Ai vlerësoi Agjencinë e Imigracionit për burgosjen dhe dëbimin e mijëra pjesëtarëve të bandës. Një zyrtar i lartë i agjencisë tha se 4,800 pjesëtarë të bandës, përfshi qindra udhëheqës dhe bashkëpunëtorë të “MS-13”, u arrestuan një vit më parë në të gjithë vendin. Thomas Homan është drejtor në detyrë i Agjencisë për Imigracionin dhe Doganat.

“Duam ta shtrijmë goditjen drejt jugut, po godasim MS-13 atje ku është komanda dhe kontolli në El Salvador. Zyrat tona në Amerikën Qendrore po punojnë ngushtë me organet e rendit dhe të drejtësisë në El Salvador. Kemi arrestuar dhe larguar qindra pjesëtarë të MS-13 nga rrugët e El Salvadorit.”

Presidenti Trump tha se vendet që lejojnë kriminelët e tyre të futen në Shtetet e Bashkuara do të penalizohen.

“Do të ndërtojmë një sistem ku sa herë dikush vjen nga një vend i caktuar, atij vendi do t’i shkurtojmë një sasi të madhe parash nga ndihmat që ne japim, nëse u japim ndonjë ndihmë. Pavarësisht raporteve që dëgjoj, mendoj se këto vende nuk po na ndihmojnë.”