Pas sulmit ndaj Zërit të Amerikës, Rama shkon tek plehrat e Sharrës

Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Sharrë, ndërsa ka postuar në rrjet edhe një video duke treguar atë që e quan transformim e lemerisë së djeshme të venddepozitimit të mbetjeve.

I shoqëruar nga ekipi i investitorëve, projektuesve e zbatuesve të projektit, por edhe nga ministrat dhe përfaqësuesit e bashkisë, Rama u njoh me përfitimet që sjell impianti i trajtimit të mbetjeve urbane në Sharrë.

 “Gjithë rezistenca ndaj landfillit të Fierit është injorancë dhe nga ana tjetër krijon një panik krejt të paarsyeshëm te njerëzit që kujtojnë se duke mos u ndërtuar në Fier janë më të mbrojtur. Ndërsa sot në të gjithë qytetin e Fierit për shkak së situatës së trashëguar është ndotje permanente, mirëpo në momentin që vjen kompania përpunimit krijohet ideja që po vjen një industri që do na ndosë ndërkohë që është e kundërta”, theksoi Rama.

Sipas tij, projekti parasheh që e gjithë zona të kthehet në një zonë të pyllëzuar, duke u kthyer në një park natyror, i hapur për të gjithë.

 “Tirana do fitojë një park. Park real. Edhe Durrësi do fitojë një park. Parqe me 20-30 hektarë që nuk ka mundësi të imagjinohen në situatën që është sot dhe do jenë parqe për qytetin”, theksoi Kryeministri.

Ndërkohë, Blendi Klosi, ministër i Mjedisit, theksoi se ajo që po ndodh në Tiranë është mënyra më e mirë si mund të transformohet dhe Durrësi edhe çdo lanfill tjetër që kanë 27 vite që janë jashtë çdo standardi.

“Nga njëra anë, synimi është trajtimi i mbetjeve, duke zgjidhur një problem madhor, jo vetëm për kryeqytetin, si rezultat i ndotjes që shkaktojnë grumbullimi dhe djegia tradicionale e mbetjeve dhe nga tjetër, prodhimi i energjisë së rinovueshme, që do të hidhet në rrjetin elektrik të vendit”, shtoi ai.