Armand Shkullaku: Rama ka një ‘trupë mediatike’ kundër opozitës

Gazetari Armand Shkullaku shkruan sot se Edi Rama ka vendosur ‘një trupë mediatike’, kundër opozitës pas publikimit të audio-përgjimit në të cilin Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj flet për trafikimin e kanabisit drejt Italisë.

‘Partia Socialiste po bën ç’është e mundur që protestën e opozitës më 26 maj ta banalizojë si një ‘protestë të Babales’, por njëkohësisht ‘Babales’ po i jep rolin dhe peshën historike të bllokimit të mundshëm të negociatave në qershor.

Mazhoranca ka hyrë në një spirale demagogjike, duke prodhuar një komedi të madhe për shqiptarët, ku një ditë opozita shpërfillet e vihet në lojë dhe ditën tjetër paraqitet si fuqia mistike që po zhbën ëndrrën shekullore të Shqipërisë europiane’, shkruan Armand Shkullaku në një opinion të botuar në Lapsi.al.

Më poshtë keni shkrimin e plotë të Armand Shkullakut:

Partia Socialiste po bën ç’është e mundur që protestën e opozitës më 26 maj ta banalizojë si një ‘protestë të Babales’, por njëkohësisht ‘Babales’ po i jep rolin dhe peshën historike të bllokimit të mundshëm të negociatave në qershor.

Mazhoranca ka hyrë në një spirale demagogjike, duke prodhuar një komedi të madhe për shqiptarët, ku një ditë opozita shpërfillet e vihet në lojë dhe ditën tjetër paraqitet si fuqia mistike që po zhbën ëndrrën shekullore të Shqipërisë europiane.

Metafora më e mirë për të kuptuar këtë ngërç që ka kapur propagandën e kryeministrit, është ajo e Babales.

Për Babalen, me tone qesëndisëse flet Edi Rama, me Babalen përpiqet të bëjë humor edhe Taulant Balla, e pas tyre të gjithë deputetët në komisionet parlamentare dhe trupa e gatshme mediatike e ‘komandatit’.

Me Babalen duan të zhvlerësojnë edhe aksionin opozitar kundër ministrit të Brendshëm dhe po me Babalen tentojnë të minimizojnë protestën e kësaj të shtune.

Nëse dëgjon shpjegimet e gjata të kryeministrit, ‘opozita e Babales’ nuk ka besueshmëri, nuk e merr kush seriozisht, ka hyrë në krizë dhe vendi, si dhe ai vetë, kanë mbetur pa alternativë.

Por, kur vjen puna që Edi Rama të marrë përgjegjësitë e tij në raport me progresin e Shqipërisë drejt integrimit në BE, ai lan duart dhe kërkon shpëtim përsëri te ‘opozita e Babales’.

Vetëm se këtë herë ajo nuk është më opozita e pabesueshme dhe qesharake, por një forcë me ndikim në Bruksel, në korridoret e parlamenteve europiane, e strukturuar dhe me peshë, madje sipas zbulimit më të fundit të kryeministrit, edhe me një program që ka si bazë testamentin e Esat Pashës.

Sigurisht që këto shkapërdredhje për t’i ikur përgjegjësisë, e kanë bazën tek një e vërtetë që as nuk e relativizon dot Babalja dhe as nuk mund ta justifikojë i ashtuquajturi ‘mision antikombëtar i disa vulëhumburve pa atdhe’, që po na lënë jashtë dyerve të Europës.

Edi Rama është i qartë se sado qesharak të duket Babalja, ai nuk bën për të qeshur në një vend ku një ministër i Brendshëm është në arrest, i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, dhe një tjetër ka vëllanë të dënuar po për trafik ndërkombëtar droge.

Dhe të dy, pjesë e një qeverie të shënjuar me bojë të kuqe në të gjitha raportet serioze ndërkombëtare, pikërisht për shkak të kultivitimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Babalja do të na gajaste vërtetë në kontekstin e një qeverisje normale, të pastër dhe pa asnjë implikim me afera kriminale, por në rastin konkret, ai përbën një skandal më shumë për një qeveri të kontaminuar nga virusi i abuzimit.

Kancelaritë perëndimore nuk e njohin Babalen, por ato janë tepër të ndjeshme dhe folën menjëherë sapo edhe emri i ministrit të dytë të Brendshëm u implikua në një aferë të dyshimtë me sfond trafikun e drogës.