Kush e meriton ‘Topin e Artë’? Muller zgjedh mes Ronaldos, Messit e ...

Thomas Muller beson se Mohamed Salah duhet ta fitojë “Topin e Artë” para Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit pas një sezoni mbresëlënës me Liverpoolin.

Ylli egjiptian ka zhvilluar një sezon mahnitës duke shënuar 44 gola në të gjitha garat dhe duke e ndihmuar Liverpoolin të shkojë në finale të Ligës së Kampionëve, ku të shtunën do të përballet me Real Madridin.

Ronaldo, i cili është momentalisht fitues i çmimit më prestigjioz individual të futbollit europian, e udhëhoqi Realin drejt triumfit ndaj Bayern Munchen të Thomas Mullerit në gjysmëfinale, por gjermani beson se egjiptianit i takon “Topi i Artë” kësaj radhe.

“Mendoj se Mo Salah ka qenë mbresëlënës. Mbase ai është kandidat i madh nëse Liverpooli e fiton Ligën e Kampionëve”, ka thënë Muller për “Mirror Football”.

“E gjithë bota po e kërkon një fitues të ri të ‘Topit të Artë’. Leo Messi dhe Ronaldo janë të jashtëzakonshëm, por paraqitjet e Salah kanë qenë të jashtëzakonshme këtë sezon. Mendoj se ai ka shanse të mëdha”, shtoi ai.