Fushaj: Vllaznisë s’ia ka fajin Partizani, me këtë formë menaxhimi do vinte kjo ditë

Valter Fushaj e cilëson rënien e Vllaznisë nga Superiorja si diçka të pritshme.

Ish-presidenti i Vllaznisë nuk e shikon të keqen te Partizani sa i takon rënies së skuadrës shkodrane në Kategorinë e Parë.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Fushaj mundohet të hedhë dritë mbi situatën në klubin shkodran dhe dramën e rrëzimit nga elita, teksa thekson se faji kryesor është i futbollistëve të Vllaznisë.

Fushaj ka akuza për të gjithë, nga kryebashkiakët, tek administratorët, trajneri dhe deri te lojtarët, teksa 70 % të tyre i quan të papërgjegjshëm.

“Jam gati të marr një Vllazni pa borxhe dhe me standarde normale”, është premtimi i ish-presidentit Fushaj.

Zoti Fushaj, Vllaznia u rrëzua nga kategoria. Ishte diçka e pritshme për ju, apo shpresonit se në fund ekipi do ia dilte?

Së pari, për mua personalisht keqardhja është shumë e madhe. Mirëpo, e vërteta është se kjo Vllazni u bë gjashtë vite që po kalon këtë situatë. Pra, çdo sezon që mbyllej, sërish ankthi ishte i pranishëm. Thoshim hë se shpëtuam edhe këtë vit. Por, me këtë formë menaxhimi, një ditë do të vinte edhe ky rrëzim, edhe pse për Shkodrën si qytet rënia e Vllaznisë është dramë e madhe. Gjithsesi, për mua rrëzimi nga kategoria nuk ka qenë diçka e papritur. Edhe sikur të shpëtonte këtë sezon, prapë në tjetrin problemet do të vazhdonin.