'Agron Xhafaj në burgun e Romës, prokurori shqiptar shkoi ta marrë në pyetje në Itali'

Largimi i mistershëm me urgjencë dhe në fshehtësi drejt Italisë i Agron Xhafajt, "për t'iu dorëzuar drejtësisë" ka ngritur shumë pikëpyetje mbi fatin e vëllait të ministrit pasi ai kaloi kufirin shqiptar. Asnjë burim, zyrtar ose jo, nuk është shprehur se çfarë ka ndodhur me personazhin që ka trazuar politikën shiptare fuqishëm dhe ka provokuar një protestë të opozitës shqiptarë ditën e shtunë.

Por, mbrëmjen e së enjtes, nga një burim u mësua se prokurori i çështjes së Agron Xhafajt, Përparim Kulluri, gjendet në Itali për të marrë në pyetje Agron Xhafajn."

Këtë e ka bërë të ditur Roland Qafoku, gazetari dhe drejtuesi i emisionit "Debati në Channel One". Sipas tij, Agron Xhafaj gjendet në një burg në Romë dhe pritet që prokurori Kulluri ta marrë atë në pyetje.

Sipas burimeve të gazetarit Qafoku, edhe ekspertiza e video-përgjimit mbi çështjen e vëllait të Ministrit të Brendshëm do të kryhet në Itali. Të njëjtat burime shtojnë se gjithçka do të realizohet përmes një bashkëpunimi mes prokurorisë shqiptare dhe asaj italiane.

Prokurori shqiptar do ta pyesë Agron Xhafajn lidhur me video-përgjimin, njohjen e tij me Albert Veliun të njohur si “Babalja” dhe rrethanat e video-përgjimit.

BASHA ZBULON ARSYET E LARGIMIT URGJENT DHE PA ZHURME Të XHAFAJ DREJT ITALISE

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka zbuluar dje në Kuvend, se pse qeveria nxitoi ta largojë nga Shqipëria Agron Xhafajn, protagonistin e video-përgjimit, vëllain e ministrit të Brendshëm, me shpejtësi të jashtëzakonshme menjëherë pas skandalit. 

Basha: "Edi Rama ti je arkitekti dhe autori i gjithë këtyre gjëmave, je ti po kështu që mohon gjithçka.

Dikush të akuzoi Ministrin e Brendshëm me dëshmi dhe material audioviziv se mbron vëllain trafikant të drogës. Ti, Edi Rama në vend që të merreshe urgjentisht me ministrin dhe vëllain trafikant të drogës, fillove sulmin ndaj dëshmitarit, ndaj denoncuesit, ndaj gazetarëve, ndaj opozitës.

Ekspertizën na e nxorre brenda 12 orëve. Po ku e bëre ekspertizën Edi Rama? Kush ta dha? Ku e çove? Ti je një gënjeshtar dhe vazhdon të bësh atë që ke bërë këto 5 vjet sepse mbron kriminelët. Këtë ke bërë në çdo rast, kur kriminelët e tu janë bërë publikë, që t’i mbrosh, justifikosh dhe të shpëtosh.

Kujtohuni të gjithë, kështu bëri me Mark Frrokun, me Arben Ndokën, me Armando Prengën, me Elvis Roshin, me Saimir Tahirin, kështu po bën tani me Agron Xhafajn dhe Fatmir Xhafajn. Kështu bëri me drogën. Ju kujtohet kur u thoshte shqiptarëve këtu nga kjo sallë se “avionët janë mushkonja”. Ju kujtohet kur ju thoshte “nuk ka drogë, jeni të marrë se thoni që mbillet drogë”. Ju kujtohet se fliste për Elvis Roshin, “si një i ri i papjekur në emigracion”, njësoj siç flet sot për Agron Xhafën.

Largimi i kontrolluar dhe në fshehtësi me urgjencë i Agron Xhafajt është ekspertiza e plotë e audiopërgjimit. Agron Xhafaj nuk u largua për të kryer dënimin si njëri i penduar. Po të kishte qenë kështu, do ta kishte bërë me parë këto 15 vjet, do ta kishte bërë më parë këto 8 vjet, që nuk ka nevojë të marrë vizë për të shkuar në Itali, falë Partisë Demokratike.

E vërteta është se ai u largua si pjesë e një plani kriminal për të shpëtuar Fatmir Xhafajn dhe mbi të gjitha për t’i shpëtuar hetimit në Shqipëri të aktivitetit të tij kriminal. U largua i shoqëruar me temenara nga policia.

Veprimet e prokurorisë Rama-Xhafaj që e lanë të largohej janë skandaloze. Nëse ndaj tij ka filluar hetim, pse e lanë të ikte? Nëse nuk ka filluar hetim, pse nuk ka filluar?

Vetë largimi i Agron/Geron Xhafës, 15 vjet pasi ishtë shmangur drejtësisë, 10 orë pas publikimit të audiopërgjimit është jo vetëm prova, por është edhe akti për ta shmangur nga ballafaqimi me dëshmitarin, për t’i dhënë kohë krimit të organizuar që ta kërcënojë dhe ta blejë me para.

Njeriu që mban krimin në këmbë u zhduk në mes të natës duke i zhdukur zërin, fytyrën dhe pamjen. Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama ofruan të gjithë infrastrukturën shtetërore për ta pritur në orën 22:00 të natës në prokurori, gjoja për të dhënë zërin, në vend që t’i vinin hekurat dhe për ta degdisur, izoluar me nderime policore, larg hetimit në Shqipëri.

Ku është Agron Xhafaj?
Çfarë dënimi po vuan?
A po e vuan dënimin?
Në cilin burg ndodhet?
Përse nuk foli me zë direkt në televizion apo në telefon?
Përse e hoqën menjëherë nga Shqipëria?

Fatmir Xhafa dhe Agron Xhafaj funksionojnë si kokat e një familje mafioze, që kanë ofruar të gjithë infrastrukturën shtetërore, së pari, që i vëllai të vazhdojë të jetë, koka e krimit në të gjithë Shqipërinë dhe së dyti, të largohet i qetë jashtë Shqipërisë.

 A ka biseduar Fatmir Xhafaj vetë me prokurorët e çështjes së të vëllait?
 A i ka çuar fjalë veglave politike të Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës, Arta Markut dhe Donika Prelës?
 A u ka bërë presion të zbatojnë urdhrat e tij për të mos zbatuar ligjin, i cili detyron prokurorinë të kërkojë ndalimin e një shtetasi të dyshuar për trafik droge.
Përse policia dhe prokuroria nuk kërkuan menjëherë bllokimin e pasaportës dhe ndalimin e daljes jashtë vendit të Agron Geron Xhafajt?
Kush e njoftoi policinë? Kush e njoftoi Edi Ramën?   Kush e njoftoi Fatmir Xhafën për identitetin e dëshmitarit X, menjëherë pas publikimit të videopërgjimit nga Partia Demokratike?

Natyrisht, këto janë pyetje vetëm retorike, përgjigjet sot i di dhe i njeh çdo shqiptar."