Baton Haxhiu: Xhafaj nuk duhet të bëhej ministër për shkak të dënimit të vëllait

Analisti Baton Haxhiu, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ka deklaruar se Fatmir Xhafaj, nuk duhet të merrte detyrën si Ministër i Brendshëm, për shkak të dënim të vëllait të tij në Itali për trafik ndërkombëtar narkotikësh.

“Shqipëria është në periudhën e reformës në gjyqësor dhe policisë nëpërmjet vettingut. Përveçse nga Gjykata Kushtetuese dhe nivelet e poshtme, pothuajse të gjitha janë në paralizë për shkak të keq menaxhimit të vettingut.

Edhe në polici ekziston procesi i vettingut, që duhet të prekte edhe ministrin Xhafaj. Këtu është morali i punës. Për shkak të Agron Xhafaj, ministri Xhafaj nuk duhet të merrte detyrën.”

Haxhiu ka deklaruar se opozita e vendit, e ka përdorur këtë çështje në mënyrë të pacipë, për të penguar integrimin.

“Por ekzitson një pjesë e tretë që ka të bëjë me opozitën e cila e ka përdorur në mënyrë të pacipë momentin e një dobësie të pushtetit.

Në ditën kur po mbahej Samiti i Sofjes, doli një gjë e tillë, që ka qenë në sirtaret e secilit, 4 ose 6 muaj më herët.Si është e mundur që kjo cështje doli në ditën kur mbahej samiti?

Kur po flitet për hapjen e negociatave të Shqipërisë, duket e pamoralshme dhe e paqëndrueshme, për gjithë procesin”, u shpreh analisti.