Botërori 2026 në SHBA? Duka u kërkon heqjen e vizave për tifozët shqiptarë

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, priti sot një delegacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Meksika, të cilat së bashku përfaqësojnë edhe kandidaturën e tyre të shpallur tashmë zyrtare për organizimin e Botërorit të vitit 2026.

Ky delegacion ishte i përbërë nga Steve Reed, president i Federatës Kanadeze të Futbollit dhe njëherësh bashkëkryetar i komitetit organizator për kandidaturën e Kupës së Botës 2026; Brian Remedi, shef i zyrës administrative në Federatën Amerikane; nga Sandra Gage, shefe e zyrës së marketingut në Federatën Kanadeze, si edhe nga Inigo Riestra, drejtor për marrëdhëniet me jashtë në Federatën Meksikane të Futbollit.

Duke falënderuar presidentin Duka për këtë pritje, Steve Reed, bashkëkryetar i komisionit për kandidaturën e përbashkët të Botërorit 2026 theksoi se tashmë të tria vendet janë gati për një event të tillë, duke qenë shumë më të fortë në këtë bashkim.

“SHBA, Kanadaja dhe Meksika janë tashmë së bashku, më të fortë se kurrë, për të marrë organizimin e finaleve të Botërorit të vitit 2026. Jemi plotësisht gati për një event të tillë dhe jemi koshient që është një nder shumë i madh, po ashtu edhe një përgjegjësi e madhe, organizimi i një eventi të tillë botëror. Të tria vendet janë një bashkim shumë i madh edhe në afrimin e njerëzve dhe tifozëve me futbollin”, tha Steve Reed.

Pas një prezantimi të shkurtër nga ana e delegacionit për kandidaturën e përbashkët, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, theksoi: “Jam njohur edhe me projektin tuaj si kandidaturë për organizimin e Botërorit të vitit 2026. Natyrisht, tri vende, të përfaqësuar me kandidaturën e tyre të vetme, është diçka shumë e mirë. Kam takuar ditë më parë edhe një delegacion nga Maroku, sepse edhe ata janë kandidatë zyrtarë. Natyrisht, zhvillimi i Botërorit në tri shtete së bashku, SHBA, Kanada e Meksikë, është diçka shumë e bukur për tifozët, pasi do të shohin tri vende, do të njihen me tri kultura dhe tri eksperienca të ndryshme.

Nëse kandidatura juaj e përbashkët fiton, uroj dhe uroni të jetë edhe Shqipëria në atë Botëror. Është e vështirë, por jo e pamundur.

Ne jemi kualifikuar vetëm në një fazë finale Europiani, atë të Francës. Ajo që do të thoja, është fakti që, tifozët tanë dhe jo vetëm, do ta kenë shumë të vështirë të jenë atje, për çështjen e pajisjes me vizë.

Mendoj se kjo kërkon një trajtim tjetër nga ana juaj për një problem të tillë, në mënyrë që tifozët të jenë atje, të ndjekin futbollin, të ndjekin këto ndeshje, të njihen me kulturat dhe eksperiencat e të tre vendeve. Natyrisht, format mund të jenë të ndryshme, për të gjithë ata që do të kenë një biletë për ndeshjet e këtij eventi, në rast se kandidatura juaj e përbashkët do të shpallet fituese. Çdo vendim që do të marrë FIFA për këtë event mendoj që do të jetë i drejtë dhe në të mirë të futbollit”.