Bushi publikon listën e Shpresave, miqësoret shans për lojtarë nga kampionati shqiptar

Është publikuar lista e Kombëtares U-21 për sa i përket ndeshjeve miqësore.

Shpresat do të luajnë më 28 maj, ora 19:00, në “Elbasan Arena” me moshatarët e Bosnje Hercegovinës dhe më pas ndeshja dyshe me Bjellorusinë, njëra në datën 5 qershor dhe tjetra në datën 8 qershor.

Trajneri Alban Bushi ka thirrur lojtarë nga kampionati vendas, por lista është më e gjatë me futbollistët që luajnë jashtë.

Në një prononcim për mediat, lidhur me miqësoren me Bosnjën, Bushi theksoi: “Patjetër që rezultati duhet në futboll. Kampionatet kanë mbaruar dhe lojtarët nuk e kanë mendjen te grumbullimi, por ne do të hyjmë për ta fituar ndeshjen. Duhet të mësojmë të luajmë futboll.

Në anën taktike do të punojmë shumë se janë pak ditë në dispozicion, duhet të kapim shpejt se çfarë do të kërkojmë të marrim nga kjo ndeshje. Pas datës 30 do vijnë lojtarë të tjerë në Kombëtare. Do i japim minuta të gjithëve atyre që e meritojnë.

Do kemi lojtarë të Kategorisë së Parë, pavarësisht nivelit që kanë, duhet të rriten më tepër për të përballuar nivelin e Kombëtares, duhet të rriten fizikisht shumë. Mendoj se duhet t’i shohim”.