VIDEO/ Rama mbledh qeverinë në Gjirokastër: Ja projektet që do zbatojmë...

Kryeministri Edi Rama deklaroi pas mbledhjes së qeverisë, e cila u mbajt në Gjirokastër, se ndërhyrjet që janë bërë në këtë qytet do të sjellin një fluks të numrit të turistëve.

Rama tha se ka përfunduar faza e parë e programit të Rilindjes Urbane të zemrës së qytetit, ku janë bërë ndërhyrje në banesat që ishin në rrezik shembjeje.

“Fillon së shpejti ndërtimi i By-Pass të Tepelenës, si dhe ndërtimi i rrugës Kardhiq-Delvinë, që është një investim i fuqishëm strategjik. Janë një sërë projektesh të tjera që lidhen me të gjitha bashkitë e qarkut të Gjirokastrës, ndërhyrjen në ujesjellësat, si dhe projekte që janë pjesë e programit të qeverisë për rindërtimin e 300 qendrave shëndetësore që do të transformohen tërësisht, si dhe 52 shkollat që nisin rindërtimin në muajt e ardhshëm, ku edhe Gjirokastra ka pjesë. Do të rindërtohet shkolla profesionale, si dhe shkollat e mesme në Përmet dhe Këlcyrë”, tha Rama.

Në vijim ai shtoi se Gjirokastra është pjesë e programit të 100 fshatrave, ku në 13 fshatra në këtë qark janë përzgjedhur për zhvillimin e agroturizmit dhe turizmit.

Kryeministri vuri theksin në ripërtëritjen e infrastrukturës, nxitjen e bizneseve që lidhen me turizmin dhe agroturizmin, por shtoi se në këtë drejtim duhet vullnet për punë dhe iniciativa.  Rama gjithashtu vlerësoi rolin e zyrave të punës në punësimin e qytetarëve, por shtoi se në jo pak raste ndeshemi me refuzimin për punët që ofrohen.

“Nuk e kuptoj sesi qytetarët preferojnë të refuzojnë një punë, paga e së cilës është 8 herë më shumë se ndihma ekonomike”, tha Rama.

Gjithashtu, Kryeministri la të hapur mundësinë e ndërtimit të një aeroporti në Gjirokastër, por shtoi se kjo do të varet nga interesi që do të tregojë sipërmarrja.