Reali e mbyll me barazim sezonin në La Liga

Real Madridi e ka mbyllur me barazim sezonin në La Liga.

Të besuarit e Zidanes nuk kanë marrë më shumë se një barazim 2-2 përballë Villarrealit.

Reali ishte fantastik në pjesën e parë, me Gareth Bale dhe Cristiano Ronaldon që realizuan për epërsinë 2-0.

Por, loja e “mbretërve” u zbeh në pjesën e dytë, ndërsa vendasit e ngritën tempin duke barazuar rezultatin në 2-2.

Së pari Martinez 20 minuta para mbarimit dhe Castillejo në minutën e 85-të ishin shpëtimtarët e “Nëndetëses së verdhë”.

Villarreali e mbyll sezonin në vendin e pestë dhe do të luajë në Evropa Ligë sezonin e ardhshëm.

Ndërkohë, Reali Madridi, që ende ka kohë ta shpëtojë një sezon dëshpërues, nëse triumfon në finalen e Kievit në Ligën e Kampionëve kundër Liverpoolit në fund të këtij muaji, e përfundon këtë vit të La Ligës në vendin e tretë.