Tragjedia në Teksas, i riu që vrau 10 nxënës ishte viktimë e bulizmit në shkollë

Autori i masakrës në shkollën e mesme të Teksasit, ishte viktimë e bulizmit. Në ditarin e tij, ai shkruante se donte të vriste dhe të vetëvritej.

Ndërkohë dhe në parkingun e një shkolle të lartë në Atalanta një grua humbi jetën si pasojë e të shtënave me armë.

Dimitrios Pagourtzis, 17 vjeç, studenti i arrestuar për masakrën në shkollën e mesme në Teksas, ka qenë viktimë bulizmi i shokëve të klasës dhe trajnerëve.

‘Uashington Post’ ka intervistuar të afërmit e tij, ndërsa gjykata i ka mohuar mundësinë e lirimit me kusht në pritje të procesit. Sipas mediave amerikane, ai ka qenë i qetë gjatë dhënies së vendimit.

Fakti që ai ka qenë objekt talljeje për shokët e tij mund të jetë dhe arsyeja e masakrës, ndërsa mbetet ende për tu zbuluar plani i sulmit. Mediat amerikane kanë publikuar të dhënat e para të profilit të vrasësit 17-vjeçar.

Në profilet e tij në rrjetet sociale, ai shfaqet në një fotografi me moton: i lindur për të vrarë, ndërsa në një fotografi tjetër, ai është me një xhaketë të verdhë të gjatë me simbole naziste.

Adoleshenti luante me ekipin e futbollit të shkollës dhe ishte anëtar i skuadrës së kërcimit të kishës greke ortodokse.

Në ditarin e tij, Dimitrios planifikonte të vriste dhe të vetëvritej, dhe në automjetin e dhomën e tij janë gjetur bomba molotov dhe mjete të tjera shpërthyese.

Pas ngjarjes në Santa Fe në Teksas, një episod tjetër i ngjashëm është regjistruar orët e fundit në Georgia. Sipas televizionit amerikan Fox News, një grua mbeti e vrarë në parkingun e një shkolle të lartë në pjesën lindore të Atalantës, teksa po zhvillohej një ceremoni diplomimi.

Gruaja ndërroi jetë si pasojë e disa plumbave, ndërsa një person tjetër mbeti i plagosur. Sipas të dhënave të para të policisë, çdo gjë ndodhi pas degjenerimit të një debati për shkak të vendeve të parkingut.