Pas dëshmisë së ‘dëshmitari X’, Rama flet për Xhafajn: Unë e kam marrë një vendim

Kryeministri Edi Rama i qëndron faktit se ‘Skandali Xhafaj’ është veç shpifje e opozitës. Edhe pas dëshmisë së Albert Veliut, Rama thotë se nuk ka asgjë të vërtetë.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me qëndrimet e njëjta që ka mbajtur Rama edhe për Tahirin, Roshin apo të tjerë, të cilët sot janë të përjashtuar nga PS dhe nën hetim, kreu i socialistëve sërish është shprehur se aq ka ditur.

Z. Rama, ju keni marrë vendim për ta mbajtur Fatmir Xhafajn në Grupin e PS dhe keni dhënë dëshmi se është sajesë. Pse duhet t’u besojnë juve shqiptarët kur ju keni dhënë më parë garanci për Elvis Roshin dhe Saimir Tahirin?

Rama: E para se pse duhet të më besojnë shqiptarët mua lërjani shqiptarëve se me ata merrem vesh vetë. Unë kam qëndruar strikt sepse u jam referuar atyre që kam ditur në rastin e parë dhe në rastin e dytë nuk u heq asnjë presje atyre që kam thënë për Saimir Tahirin.

Kështu që nuk kuptoj ku lidhen këto. Kështu që përgjigjen nëse është cenuar apo jo moralisht figura e ministrit e kam marrë (se ligjërisht jo e jo ). Se detyrën e bën me përgjegjshmëri dhe rezultatet përditë e më domethënëse dhe kjo është arsyeja pse këta e sulmojnë.