BE-ja padit shtetet anëtare për ndotjen e ajrit

Komisioni Europian njoftoi paditjen e disa vendeve anëtare në Gjykatën Europiane të Drejtësisë për cilësinë e ajrit.

Komisioni do të padisë Francën, Gjermaninë dhe Britaninë për mosrespektimin e kufijve të përcaktuar nga BE-ja për lëshimin e dyoksidit të azotit, si dhe për mosmarrjen e hapave për të reduktuar ditët me ndotje të lartë të ajrit.

Ndërkohë, Hungaria, Italia dhe Rumania do të paditen për nivelet e larta të grimcave.

Komisioni ka vendosur gjithashtu të japë paralajmërime ndaj Gjermanisë, Italisë, Luksemburgut dhe Britanisë për mos zbatimin e rregullave të BE-së për shkarkimet e automjeteve.

Legjislacioni i BE-së kërkon që shtetet anëtare të kenë sisteme ndëshkuese për të penguar prodhuesit e makinave të shkelin ligjet./CRI