Kamer Qaka prezantohet te klubi më i madh i Rumanisë. Fjalët e para si lojtar i Steuas

Kamer Qaka u prezantua zyrtarisht si futbollisti më i ri i Steauas së Bukureshtit.

Mesfushori i Kombëtares shqiptare firmosi një kontratë 5-vjeçare me skuadrën më të madhe në Rumani.

23-vjeçari u ble për 375 mijë euro nga Steaua, me Poli Iasin që gjithsesi ruan 25 për qind të kartonit të futbollistit në rast shitjeje.

Në intervistën e tij të parë të dhënë për mediat si lojtar i Steauas, mesfushori kuqezi u shpreh i lumtur për hedhjen e firmës mbi kontratë dhe faktin që do të mbajë veshur fanellën e klubit më të madh në Rumani, duke e cilësuar si një transferim të rëndësishëm për të dhe familjen e tij.

Synimi i Qakës me Steauan është të fitojë titullin kampion në të ardhmen, ndërsa nuk i trembet kritikave të Gigi Becalit, që njihet si një president që shpesh kritikon lojtarët e tij në publik.

“Jam shumë i lumtur që kam nënshkruar me klubin më të madh në Rumani. Unë shpresoj që të kem progres të mirë dhe të ndaj me kolegët e rinj një gëzim të madh e të fitoj sa më shumë trofe të jetë e mundur. Mezi po pres që të filloj trajnimin dhe të luaj ndeshjen time të parë me fanellën kuqeblu”, tha shqiptari.

Firma me Steauan për Qakën mund të jetë një mundësi e mirë dhe për lojtarin për të përforcuar pozitat e tij në Kombëtare e shpresën se do të shndërrohet në një zgjedhje të përhershme nga trajneri Panucci, duke e cilësuar në mediat rumune një krenari faktin që luan për Shqipërinë.

Nga kontrata me Steauan, Qaka do të përfitojë një pagë progresive, e cila në termat financiarë do të vijë në rritje vit pas viti.