Wenger: Arsenali refuzoi transferimin e Ronaldos, nuk pagoi 15 milionë euro

Trajneri Arsene Wenger ka rrëfyer dështimin e transferimit të Cristiano Ronaldos te skuadra e Arsenalit.

Ronaldo ishte afër kalimit te “Gunners” por marrëveshja në fund nuk ishte arritur pasi Arsenali nuk dëshironte të paguante 15 milionë euro.

“Ai ishte këtu me nënë e tij dhe ishim shumë afër transferimit. Më pas doli Man Unitedi dhe ata kishin Carlos Queiroz në atë kohë, që ishte ndihmës trajner i tyre. Unitedi luajti miqësore me Sporting Lisbon, Ronaldo ishte i jashtëzakonshëm dhe nënshkruan me të”, shtoi Wengeri.

“Mund të imagjinoni se si do të ishte të kesh në një skuadër së bashku Thierry Henry e Ronaldo. Më vonë, Unitedi së bashku kishte Rooney, Ronaldo dhe Van Nistelrooy, duke bërë një ekip të shkëlqyer me Giggsin e Scholsin gjithashtu. Ata (Henry e Ronaldo së bashku), mund të kishin ndryshuar historinë time këtu e të Arsenalit gjithashtu”, theksoi mes tjerash Wenger.